Namazi i natës, elasticiteti i shtyllës kurrizore dhe funksionaliteti i zemrës…

Meqenëse po hyjmë në atmosferën e dhjetë ditëve të treta të Ramazanit (nuk e pëlqej të them: dhjetë ditët e fundit), e shoh me vend të sjell në vëmendjen tuaj disa nga vlerat e namazit të natës.

Natyrshëm, ne si muslimanë e kemi traditë profetike namazin e natës, sidomos në Ramazan, njëzet rekatet e teravisë, që mund të pasohen edhe me namaze të tjera nafile, si namazi i tesbihëve, tehexhudi etj.

Një libër mbi vlerën e namazit të natës (kijamul-lejl) dhe atij që e pason periudhën e pasgjumit të natës, para namazit të sabahut (tehexhud), e ka shkruar edhe dijetari i shquar Ibn Edid-Dunja. Libri titullohet: “Et-Tehexhxhud ve kijamul-lejl”, me verifikim dhe shpjegim nga Musuad Abdulhamid M. Es-Sa’dani, botuar në Kajro, pa vit botimi.

Për dobi të këtij shënimi, po sjell vetëm një hadith nga libri i lartcituar, edhe pse ajetet dhe hadithet rreth kësaj teme janë të shumtë në faqet e tij.

Transmeton Bilali (r.a), se Resulull-llahu (a.s) ka thënë: “Falni namaz nate (kijamul-lejl), sepse ai është traditë e të mirëve para jush. Namazi i natës është afrim me All-llahun e Madhëruar, largues nga gjynahu, fshin të këqiat dhe dëbon sëmundjen nga trupi” – (Hadith hasen, transmetuar nga Tirmidhiu, Ibn Nasr dhe Bejhekiu në “Shuabul-Iman”…)

SHPJEGIMI I HADITHIT

Ka thënë Ibnul-Haxh: “Namazi i natës ka dobi, prej të cilave edhe zhveshja nga gjynahet, siç bën era me gjethet e thata të pemës. Ai e ndriçon varrin, zbukuron fytyrën, largon dembelizmin, gjallëron trupin dhe, melekët e shohin pozitën e atij që fal namazin e natës, siç shohim ne yjet në qiell” – (me disa përshtatje nga “Fejdul-Kadir”, 4/351).

Ndërsa, rreth thënies: “dëbon sëmundjen nga trupi”, këtë e kanë hulumtuar dhe vërtetuar mjekët muslimanë. Kështu, në “Konferencën e Mrekullive Mjekësore në Kur’anin Famëlartë, që u zhvillua në Kajro, ku merrnin pjesë edhe Lidhja e Botës Islame, Organizata e Shkencave Mjekësore Islame në ShBA, Organizata Mjekësore Islame në Kuvajt dhe Organizata Botërore e Xhamive në Kajro, u prezantua një studim rreth namazit të teravisë dhe ndikimit të tij në elasticitetin e shtyllës kurrizore, (namazi i teravisë është namaz nate në Ramazan, kësisoj, dobitë e tij përfshijnë edhe krejt namazin e natës dhe tehexhudin në përgjithësi).

Studiuesja Dr. Selva Muhammed Rushdi, nga Universiteti Hulvan, Fakulteti i Edukimit Fizik, paraqiti një studim me temë: “Namazi i teravisë dhe ndikimi i tij në elasticitetin e shtyllës kurrizore dhe funksionaliteti i zemrës pas moshës gjashtëdhjetë vjeçare”.

Në përmbledhje të këtij kërkimi shkencor dhe këtij studimi, të provuar në një grup njerëzish prej gjashtëdhjetë vetash, burra dhe gra; 30 prej të cilëve e kishin falur teravinë e Ramazanit 1405 h. dhe 30 të tjerë nuk e kishin falur atë. Atyre iu bënë disa analiza për të kontrolluar elasticitetin e shtyllës kurrizore, si dhe funksionalitetin e zemrës, nëpërmjet ndërhyrjes argometrike. Studimi nxori në pah rezultate mahnitëse, që shtyjnë drejt faljes së namazit në përgjithësi dhe namazit të natës në veçanti.

Studimi i plotë u botua në revistën “Mexheletul-I’tisam”, në dy numrat e muajve nëntor/dhjetor 1985.

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip,
me disa shënime anësore

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 25 qershor 2016