“Islami do të qëndrojë, sa të jenë qiejt dhe toka!”

Dita e sotme ishte e mbshur me detaje të mrekullueshme nga bota e besimit, shpresa e rimëkëmbjes dhe dëshira për të ndryshuar.

1) Mesditën e sotme hodhëm themelet e një xhamie të re në fshatin Shtuf, Ana e Malit. Subhanallah, për këtë projekt na u afruan tre vende, tre vakëfe të dhuruara për hatër të All-llahut, nga besimi dhe dashnia për Madhninë e Tij dhe gjallërimin e fesë së Tij. Natyrshëm, pas shumë konsultash, përzgjodhëm atë që na u duk si pikë më strategjike, për zonën, komunitetin dhe përtej tyre.

Me zemër i falënderova besimtarët muslimanë të kësaj zone, që sot më dhanë një mësim të madh, se ndjenja islame sa vjen e shtohet në mesin tonë, elhamdulilah!

2) Hytben e xhumasë e mbajta në xhaminë e Oblikës. Një pjesëmarrje e madhe, sidomos e rinisë. Vetëm ky fakt ta mbush zemrën me optimizëm dhe krenari legjitime. Islami është feja e jonë, nuk ka forcë ta largojë këtë popull nga Drita dhe Udhëzimi i All-llahut!

Personazhi i hytbes sime ishte sahabiu i nderuar Suhejl ibn Amër (r.a). Shumë detaje interesante janë regjistruar nga jeta e ligjëruesit elokuent, burrit të urtë e të ndershëm kurejshit. Por, ajo që dua të ndaj me ju, është një pjesë e fjalimit të tij para mekasve, ditën kur u lajmërua se Hz. Muhammedi (a.s) kishte ndërruar jetë.

Para derës së Qabes, ai mbajti një fjalim, ku tha: “Kushdo që e ka adhuruar Muhammedin, Muhammedi vdiq! E, kushdo që e adhuron All-llahun, All-llahu është i Gjallë, nuk vdes! Pasha All-llahun, unë e di se kjo fé do të përhapet si përhapja e diellit, nga lindja në perëndim… Vdekja e profetit është e vërtetë, por All-llahu ekziston, nuk vdes kurrë! Dhe, Islami do të qëndrojë, sa të jenë qiejt dhe toka!”

Këto fjalë duhet të kumbojnë fort në thellësinë e ndërgjegjes së çdo muslimani! Pasha All-llahun, sikur secili prej nesh t’i shkruajë e t’i vendosë në hyrje të shtëpisë së tij a në ballë të dhomës së pritjes këto fjalë, nuk i del hakut!

3) Kalova një mbrëmje të mrekullueshme besimi, në mesin e besimtarëve agjërues në oborrin e xhamisë së Zogajve, ku shijuam bashkarisht mirësitë e pritjes së iftarit bri liqenit, bisedat vëllazërore me vëllezër të vjetër bese e rrugëtimesh, ligjëratat e këndshme, namazin e akshamit me xhemat, por jo vetëm.

4) U mbyll si mos më mirë kjo ditë, me namazin e teravisë në xhaminë e Plumbit, ku përherë ka diçka të veçantë që ta ngacmon shpirtin she e thërret drejt një bote, ku ka përherë prehje e paqe nga Zoti i gjithësisë… Elhamdulilah..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 24 qershor 2016