Miku im, studiuesi islam Dr. Murhaf Sekka, kishte publikuar sot dy ndodhi nga jeta e përditshme, personazh i së cilave ishte Hoxha i tij, dijetari i shquar i qytetit Hama (Siri), Shejkh Muhammed Edib Kelkel.
Thotë: “Një ditë, në zyrën e Hoxhës tonë, edukatorit Muhammed Edib Kelkel (rahmet pastë), hyri një burrë, që nisi ta pyeste rreth çështjeve të zekatit. Ndër të tjera, i tha: “Një herë, Hoxhë, i dhashë një të varfri zekatin e pasurisë sime dhe ai shkoi e bleu mish të pjekur, e çoi në shtëpinë e tij… A lejohet kjo?”
Hoxha, iu kthye i zemërur dhe i tha: “Pse, a është hallall për ty e haram për të?! Deri në të drejtën e tij legjitime doni të bëheni gjykatës dhe udhëzues!?”
Pastaj erdh një tjetër, që po i thoshte Hoxhës (rahmet pastë): “Filani është i varfër dhe ka televizor në shtëpi. A lejot t’i jap nga zekati im?”
Hoxha iu kthye: “Nëse ai e shet atë televizor, a thua bëhet i pasur?”
Fatkeqësisht, disa prej atyre që i ka begatuar All-llahu me pasuri, vazhdojnë t’i shohin njerëzit që e meritojnë zekatin, me një ndjenjë mendjemadhështie dhe pozite të lartë, sikurse ngushtohen nëse i shohin duke shpenzuar për mirëqenien e tyre!
Duhet ta dish, o vëlla që e ndan zekatin, se detyra jote është t’ia japësh zekatin atij që e meriton, ndërsa veprimet e tij me zekatin tënd nuk janë pjesë e llogarisë tënde!
Ti nuk je i ngarkuar të ndjekësh veprimet dhe blerjet e tij me atë shumë të hollash, as të lejohet një gjë e tillë! As të lejohet të imponosh masat e tua personale për të gjykuar të tjerët me nënçmim, duke e konsideruar veten tënde mbi ta!
Prandaj, kijeni frikë All-llahun në hakun e tyre!”
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 23 qershor 2016