Do të dëshiroja, njësoj siç dëshiroj…

Fillimisht ju kërkoj ndjesë për vonesën në rreshtimin e fjalive të mëposhtme, që sillen në orbiten e mendimeve dhe kujtimeve, refleksioneve dhe meditimeve, që mot…

Fillimisht, mëngjesin e datës 6 korrik 2016. Dita e dytë e Fitër Bajramit për vitin 1437 tek ne… Mëngjesin e asaj dite, bashkë me disa vëllezër të Myftinisë Shkodër, udhëtuam drejt Rinasit. Moralisht, e ndjeja për obligim dhe borxh nderi të isha i pranishëm në përcjelljen e dy hafizëve të nderuar turqë, H. Yakup Avcı dhe H. İbrahim Aslan, të cilët, për gjatë gjithë Ramazanit të sivjetshëm ishin me ne, në shërbimet e mrekullueshme të këtin Muaji të Madh në Shkodër. Ktheheshin tek familjet e tyre në Turqi.

Dy djem të rinj, njëri më fisnik se tjetri, njëri më i thjeshtë se tjetri, njëri më mirëkuptues se tjetri, njëri më bilbil se tjetri në leximin e Kur’anit, njëri më bartës vlerash shekullore të etikës dhe edukatës islame se tjetri…

Na bashkoi Muaji më i shtrenjtë i ymmetit, Hatmeja Sherife e Kur’anit Famëlartë, namazi i teravisë, iftaret, bashkëbisedimet e hoket vëllazërore, Fitër Bajrami dhe atmosfera e begatë e një kohe të mbushur me bekime pa fund…

Do të kisha dëshiruar që të dy ata, hafizët e Dijanetit të Turqisë, të rrinin me ne, të bëheshin pjesë e Shkodrës dhe aktivitetit të larmishëm islam në të, mirëpo dëshira mbetet dëshirë, realitetet dhe angazhimet reale, realitete që imponojnë drejtimin e gjërave…

Realisht, ardhja e tyre, si një bashkëpunim në mesin e dy institucioneve zyrtare të Thirrjes Islame në Shqipëri e Turqi, më ngroh dhe më gëzon, edhe pse unë do të dëshiroja që bashkëpunimet në mes nesh të ishin edhe më të thella, edhe më të forta; sot më shumë se kurrë!

Do të dëshiroja, njësoj siç dëshiroj që problemet e politikave të vendeve të tjera të mos bëhen barrikada që pengojnë ecurinë e urave të gjata shekullore të vëllazërisë dhe miqësisë në mesin e muslimanëve shqiptarë me vëllezërit e tyre të krejt racave, kombeve dhe shteteve, siç ka ndodhur deri më sot dhe vazhdon të ndodh !

Do të dëshiroja, njësoj siç dëshiroj që politikat e vendit tim, ato që ngrejnë kokë mbështetur mbi laicizmin selektiv në dëm të shumicës së fjetur e pa tëmth të popullatës shqiptare muslimane, të mos ishin këto që janë!

Do të dëshiroja, njësoj siç dëshiroj që shumë shoqata e fondacione islame tek ne, mos ta ndërtonin filozofinë e shërbimeve të tyre të lavdëruara, mbi mendimet provinciale të karshillekut; do t’i bënin dëm të madh tërësisë së Lëvizjes, jo interesave të ngushta personale, kuptohet!

Do të dëshiroja, njësoj siç dëshiroj që shumë prej imamëve të vendit tim, të rriten e të piqen, duke dominuar me shërbimet e tyre elitare, mbi realitetet meskine që imponon egoizmi, injoranca, primitivizmi në trajtimin e historisë së mendimit islam dhe zhvillimeve të ymmetit, shfaqja ahmake e dikujt që fenë e ka nisur për së mbrapshti dhe dëshiron të imponohet me shfaqjen e jashtme a zërin e ngritur, që në fakt nuk vlejnë as dy grosh, po të shiten në tregun e zi, por jo vetëm!

Do të dëshiroja, njësoj siç dëshiroj që personalitetet e shquara të kombit dhe shpirti i ndjenjës së fortë kombëtare që ata përçojnë tek ne, të mos ciflosen, sa herë taborrat e djajve të historisë sonë komëtare dhe shpirtit të zi që bartin, (tamam si hije të errëta netësh plot pabesi), t’i dëmtojnë e t’i afrohen, (si rasti mesjetar i dëmtimit të përmendores së Heroit tonë Kombëtar, komandant Hasan Riza Pasha, para ca ditësh në Shkodër)!

Do të dëshiroja, njësoj siç dëshiroj që vizita historike e Imamit të Qabes së Madhnueshme, Shejkh Salih Al Talib, të mos kalonte në heshtje nga mediat tona, ndonëse, realisht, vizita e tij u dëshmua si një përzierje e duhur, në kohën e duhur, e vlerave të shpirtit islam të qytetarëve shqiptarë, që me qindra e mijëra tejmbushën sheshe e xhami, rrugë e sokake, ku ai prezantoi për disa ditë, me thjeshtësinë e madhështisë islame; pa roje trupore, pa sforcime servile, pa imponime mendimesh e tezash historike të neveritshme mediatike, pa shfaqje deputetësh e politikanësh në rresht për të fituar grada servilizmi e mungesë dinjiteti, si në raste të ngjashme vizitash historike të personaliteteve të shquara botërore politike, fetare, por jo vetëm, në vendin tonë!

Do të dëshiroja, shumë do të dëshiroja, por ja, dëshirat e tepërta i hapin derën shejtanit dhe, mua më duhet të jem me këmbë në tokë, duke u lutur e duke punuar pa ndërprerje në rrugën e besimit dhe bindjeve të mia. Sepse, jam plotësisht i bindur, se edhe më mirë do të jetë e ardhmja, ndonëse jetojmë në kohë hijenash, mashtrimesh, egoizmi të sëmurë e antivlerash, që katapultohen nga hiçi, për t’i bërë xhamën këtij vendi dhe shpirtit të tij shekullor…

Dhe, ju lutem, mos ma merrni për egoizëm dhe mungesë optimizmi këtë që po them!..

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 9 korrik 2016