
Në vjeshtën e vitit 2001, kisha nisur një projekt për të zhvilluar një sërë intervistash me tema të larmishme, me personalitete të ndryshme të Thirrjes Islame në Damask të Sirisë. (Një pjesë e mirë e tyre janë botuar më pas).
Në mesin e të intervistuarve ishte edhe Hoxha i dashur, Shejkh Ahmed Raxhih. Intervista u zhvillua më 22. 09. 2001 dhe u botua e plotë, si pjesë e librit tim me titull: “Opinione bashkëkohore islame”, Shkodër, 2002.
Intervista në fjalë ka të bëjë me jetën bashkëshortore në Islam dhe familjen, marrëdhëniet në mesin e dy bashkëshortëve etj.
Në kujtim të Hoxhës tonë, që u nda dje nga jeta, po ndaj me ju një fragment të asaj interviste, si sadeka e rrjedhshme për shpirtin e tij dhe si një lutje e heshtur, e shoqëruar me respekt dhe nostalgji…
Pyetje: Cilat janë bazat, mbi të cilat ngrihet një martesë e lumtur dhe ndërtuese?
Hoxha: Islami e ka refuzuar murgërinë dhe ka nxitur për martesë, pasi familja në Islam është vazhdim i jetës, mirësisë dhe dashurisë dhe është në të njëjtën kohë vazhdim i besimit dhe lëvizjes së ndërtimit të jetës.
Martesa në Islam nuk është takim i dy trupave për të shtuar prodhimin shtazarak, sikurse nuk është edhe lindja e brezave, që dinë të hanë, të pijnë e të punojnë.
Qëllimi i martesës atëherë është gjetja e brezave besimtarë, që punojnë për të realizuar misionin e ekzistencës njerëzore përmbi tokë, siç e përmend edhe Kur’ani Famëlartë: “Unë nuk i krijova xhinnët dhe njerëzit përveç se temë adhurojnë.” – (Kur’ani, Edh-Dharijatë: 56)
Atëherë dy prindërit e ndihmojnë njëri- tjetrin në rritjen e fëmijëve të tyre me një edukatë të shëndoshë, logjikisht dhe moralisht, në sjellje dhe praktikë.
Martesa e lumtur, për të cilën thërret Islami, fillon me zgjedhjen e gruas së mirë e besimtare, pasi martesa nuk është realizim epshesh, por më tepër se kaq. Zakonisht rinia fillon të kërkojë për bukurinë dhe pasurinë dhe unë nuk e mohoj një gjë të tillë, pasi kjo është një gjë e kërkuar dhe s’ka shumë problem, mirëpo në të vërtetë dhe në realitet ato janë pika sekondare, pasi bukuria nuk qëndron përherë, ndërsa pasuria mund të përfundojë dhe të falimentojë!
Për këtë u them të rinjve që të mos mashtrohen me pamjet e jashtme, por të kërkojnë për bazën familjare me besim dhe përkushtim. Ndoshta dikush mund të thotë se besimi dhe përkushtimi janë të fshehta te një person dhe nuk mund të provohen vetëm se me marrëdhënie të shpeshta. Këtu themi: Shtëpitë dhe familjet kanë disa shenja, me të cilat njihen dhe me to formojnë edhe emrin e tyre ndër njerëz, që flasin për ta.
Zakonisht fëmijët, qoftë vajza apo djali, janë pasqyrë e prindërve të tyre në edukatë e sjellje, prandaj duhet të pyesim dhe të kërkojmë.
Lumturia martesore është prej kërkesave të besimtarëve, pasi ata e urrejnë jetesën në frikë, ankth dhe shqetësim, por vrapojnë pas qetësisë, stabilitetit dhe jetës plot dashuri dhe mirësi.
Prej bazave të domosdoshme të lumturisë bashkëshortore është të zotërojë burri në shtëpi, duke u kujdesur për nevojat e jetesës, në ndërtimin e një jete të mirë dhe një familje të qetë duke filluar me mehrin, shpenzimet e gruas, e cila largohet nga familja dhe shtëpia e saj, në të cilën ka jetuar deri në atë kohë, për t’u bashkuar me burrin e saj. Prandaj Pejgamberi (a.s) u thotë të rinjve: “Kush i ka mundësitë prej jush, le të martohet.” – [Bukhariu e Muslimi, Tirmidhiu, Ibni Maxhe, Nesaiu dhe Ebu Davudi nga Ibni Mes’udi (r.a)]
Një bazë tjetër e fortë është edhe marrëveshja e mirë në mes çiftit për çështjet e jetës, pasi gruaja është shoqja e jetës, me të cilën burri do të ndajë të mirën e të keqen. Pastaj, vjen respekti e ndërsjelltë dhe zgjidhja e problemeve të jetës me qetësi dhe dialog të pastër e të shëndoshë, për të arritur në më të mirën e më të bukurën.
Duhet të ndërtohet një shtëpi bashkëshortore mbi qetësinë psikologjike, kënaqësinë shpirtërore dhe rregullat sociologjike, në një kornizë plot besim në Zotin dhe ecjen në rrugën e drejtë të Tij, që çon çdo anëtar të familjes në mirësi dhe begati. Prandaj Islami e ka veçuar çështjen e besimit në zgjedhjen e gruas apo edhe miratimin e mashkullit, si bazë në ndërtimin e një jete të lumtur, pasi Pejgamberi (a.s) thotë: “Nëse ju vjen një person, që i pëlqeni fenë dhe moralin e tij, martojeni!” Ndërsa në hak të femrës thotë: “Femra kërkohet për bukurinë, pasurinë, familjen dhe fenë e saj. Zgjidh fenë…!” – [Bukhariu e Muslimi, Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ibni Maxhe nga Ebu Hurejra (r.a)]
Në të dy hadithet përmendet feja, pasi ajo e bën njeriun të drejtë, plot moral, rregull dhe sistem në jetë.
Pyetje: A flet Pejgamberi (a.s) diçka për gruan e mirë dhe cilësitë e saja, në hadithet e tij?
Hoxha: Pejgamberi (a.s) na ka thënë se gjëja më e shtrenjtë, që mund të arrijë besimtari në këtë jetë, është gruaja e mirë. Për këtë, ai thotë: “Bota është si një mall, ku gjëja më e mirë në të është gruaja e mirë.” – [Ahmedi, Muslimi dhe Nesaiu nga Ibni Omeri (r.a).]
Po cila është kjo grua e mirë dhe cilat janë cilësitë e saja? Mos është ajo e mbuluara? Apo ajo që falet shumë? Apo ajo që shkon shpeshherë në xhami? Apo ajo që ndjek predikimet dhe mësimet fetare? Pejgamberi (a.s) thotë: “Nuk përfiton njeriu, pas përkushtimit ndaj Zotit, më tepër se nga gruaja e mirë: Po e urdhëroi (konform sistemit hyjnor dhe logjikës së pastër), do t’i bindet. Po e vështroi atë, do t’i pëlqejë. Po i kërkoi diçka, do t’i përgjigjet. Po u largua prej saj (në udhëtim, etj), do të ruajë nderin e saj dhe pasurinë e tij.” – [Hakimi dhe Ebu Davudi nga Ibni Abbasi (r.a)]
Pyetje: Çdo shoqëri ka zakonet e veta mbi të cilat ndërton jetën e vet shoqërore. Pa dyshim se disa nga këto zakone mund të ndikojnë negativisht në jetën e një çifti të ri besimtar. Si mund t’i kapërcejë një çift mysliman shqiptar këto pengesa?
Hoxha: Në çdo shoqëri ka zakone, që mund të ndikojnë për keq në marrëdhëniet e mira burrë- grua, në shumë prej segmenteve të jetës. Por sjellja e çiftit mysliman është e lidhur ngusht me sistemin e All-llahut (xh.sh) dhe mësimet e Pejgamberit (a.s), prandaj është detyra e të dyve që të sakrifikojnë për të arritur në praktikimin e Islamit në çdo çështje prej çështjeve të jetës, pasi Islami nuk është vetëm fé e xhamisë, por ai përfshin çdo të vogël e të madhe prej problemeve të jetës.
Por, në qoftëse myslimani me myslimanen nuk mund ta zbatojnë sistemin hyjnor për ndonjë arsye, u themi: “All- llahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij…” – (Kur’ani, El-Bekare: 286.), dhe u themi gjithashtu që të mundohen me sakrifica dhe sinqeritet, ta zbatojnë fenë e tyre sa të munden, duke filluar me veten dhe familjen, duke u munduar që të largohen nga këto zakone, të cilat rrethojnë myslimanët shqiptarë dhe që bien në kundërshtim me sistemin e tyre jetësor dhe vërtetësinë e fesë së tyre.
Kur flamuri i dashurisë të valëvitet në një familje myslimane dhe ajo të jetë larg këtyre zakoneve, që s’i pranon as feja dhe as përparimi kombëtar dhe të jetë afër sistemit të Zotit për kënaqësinë e Tij, kjo familje mund të jetojë e lumtur dhe e gëzuar. Dhe të mos harrojmë asnjëherë se: “All- llahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij…” – (Kur’ani, El-Bekare: 286.)
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 8 maj 2016