Duke lexuar fabulat e Kelilesë…

Në veprën e shquar: “Kelileja dhe Dimneja”, autori (a përkthyesi), oratori i dalluar, shkrimtari, poeti e gojëtari i ditur, i periudhës abasite, Abdullah Ibn Mukafea, ka një fabul, që shkon përshtat me realitete të ngjashme me tonat…

(Falë Zotit, vepra në fjalë është përkthyer edhe në shqip, nga i nderuari Ziber Lata dhe është botuar nga Shtëpia botuese prestigjioze LOGOS-A, Shkup, 2015)

Po ndaj me ju thelbin e fabulës në fjalë. Ajo titullohet: “Majmuni, shpendi dhe njeriu”.

“Kelileja tha: “Një tufë majmunësh banonin në një kodër. Në natë të ftohët me shi, kërkonin zjarr dhe panë një xixëllonjë e cila qukej si një gacë që fluturon. Menduan se është një shkëndijë zjarri, prandaj dhe tubuan shumë dru, i hodhën mbi të dhe filluan t’i fryjnë për ta ndezur.

Të gjithë kërcenin dhe trokisnin duart nga gëzimi që ndezën zjarr për t’u ngrohur. Aty afër, mbi një dru, ishte një shpend, të cilin edhe e shihnin edhe i shihte. Kur i pa se çfarë bënë, filloi t’i thërriste: “Mos u lodhni, sepse ajo që shikuat nuk është zjarr!”

Kur e pa se nuk ia vunë veshin, u afrua që t’i ndalonte, por rastësisht aty kaloi një njeri dhe i tha: “Mos tento të drejtosh atë që s’drejtohet, sepse shpatat nuk provohen mbi gurët që nuk çahen, dhe shigjeta nuk bëhet me dru që nuk lakohet! Prandaj, mos u lodh!”

Krahas kësaj, shpendi nuk i dëgjoi fjalët e tij, por u afrua që t’u tregonte se xixëllonja nuk është zjarr. Kur u afrua, majmunët e goditën dhe e vranë…”

Fabulën mund ta lexoni si të doni…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 13 nëntor 2016