Dallim thelbësor, ai në mes “biçakut” dhe “qetësisë”..!

“Gjatë jetës sime kam dëshmuar ndryshime të mëdha gjithandej… Kam vizituar botën, gjithandej; nga Tokio në Los Anxhelos e, me radhë krejt kryeqytetet e mëdha në botë…

Gjatë udhëtimeve të mia të vazhdueshme, një gjë e vetme më vërtetohej në çdo ditë, se kjo botë e shton ditë pas dite pranimin e Islamit!

Sikur të mundësohej gjetja e thirrësve të aftë, ta dini se toka është e etur për udhëzimin hyjnor! Dhe, kjo është koha e premtimit të vërtetë të All-llahut!”

Të vërtetën ka thënë, Hoxha i jonë, Shejkh Ahmed Keftaro! Ky është një realitet, që dëshmohet gjithandej nëpër botë! Nuk ka njeri të ekuilibruar, që nuk e pranon udhëzimin e Zotit, nëse ai i prezantohet me urtësi dhe në rrobën e tij të pastër.

Keqleximi i fesë dhe prezantimi i saj jashtë këtyre dy detajeve, prodhon refuzim, urrejtje, por edhe indiferentizëm që ndoshta shpie edhe në femohim a ateizëm! (ka raste plot për këtë)

Ka shumë të rinj sot, që kanë lexuar dy a dyzet hadithe, dhjetë a njëqind ajete, a që kanë dëgjuar copëza ligjëratash në botën virtuale të rrjeteve sociale e përtej tyre. Shumë mirë kanë bërë e shumë drejtë veprojnë.

Por, duke menduar se po veprojnë mirë, shpesh nxitojnë të marrin pozitat e gjykatësve, myftilerëve, imamëve, ulemave të thelluar e thirrësve të sprovuar dhe, as një as dy, fillojnë “gjuetinë” e “të devijuarve, të humburve, të shthurrurve, mushrikëve, shpikësve të bidateve të reja” etj. dhe, pjesën tjetër e kuptoni vetë… (Zot na ruaj prej ndëshkimit Tënd!)

Ky nxitim jashtë etikës, edukatës dhe natyrës së shëndoshë mendore, intelektuale, humane dhe thirrëse, më kujton rastin e një imami xhamie, në një provincë të largët…

E kishte mësuar xhematin e tij, që kur të vinin në xhami të mbanin nga një biçak me vete. E arsyetonte këtë veprim me një hadith profetik, që sipas tij, thoshte: “Kur të hyni në xhami, (të mbani nga një biçak)…”

Nga ato nahi, kalon një ditë një dijetar. Habitet, kur sheh se krejt xhemati mbanin thika në brez. Ndërsa ata, nga ana e tyre, e shohin alimin me shumë habi dhe pëshpërisin në mes vete…

Kur takohet me imamin, ky i fundit e qorton dijetarin se, përse nuk mban me vete një biçak, “sipas synetit profetik”, duke i lexuar edhe hadithin, si “delil” të fortë e bindës…

Dijetari qesh dhe ia kthen: “Lexo drejtë, o bir! Hadithi thotë: “Kur të hyni në xhami, të jeni të qetë e plot seriozitet…”

Fjalën “sekine”, (shqip: qetësi, prehje etj.), ti e ke lexuar sikkine, (shqip: brisk, biçak, thikë etj.)!? Prandaj, hidhni thikat dhe hyni në xhami si njerëz normalë!”

Si kjo ngjarje ndodh gjithandej nëpër botë, teksa Islami lexohet gabim, prezantohet me nxitim e parashtrohet larg normave të urtësisë dhe pranimit, nga të eturit për udhëzimin e munguar hyjnor…

Dallim thelbësor, ai në mes biçakut dhe qetësisë..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 12 nëntor 2016