Shejkh Beshir El-Bani, rahmet pastë, na ka mësuar lëndën e usulit në fakultet. Një Hoxhë zamani, shumë i moshuar, i hajthëm e përherë aktiv. Nuk e kujtoj ta kem parë ndonjëherë pa çallmë.
Përveç kësaj, ishte personi që më së shumti zëvendësonte kryemyftiun e Sirisë, kur ai mungonte në dersin e xhumasë, në xhaminë “Ebu Nur”, në Ruknuddin, lagjen e kurdëve në Damask.
Hoxha i jonë, H. Vehbi S. Gavoçi e thërriste: “Kadiu i muslimanëve”. Ndoshta, për faktin se për shumë kohë kishte shërbyer si këshilltar në Gjykatën e Apelit në Damask, a ngase ishte specialist i Sheriatit islam, a edhe nga pozita e hatibit të xhamisë së madhe, “El-Emevi”…
Në librin e tij, “Pishtari i zemrave”, (Damask, 2000), Shejkh El-Bani, kur flet për mekamin e dhikrit dhe pozitat e tij, ka një hyrje interesante, që e shoh të udhës ta përkthej në shqip, që të jetë boshti i mesazhit të kësaj dite.
Thotë Sehl Et-Tusturi (v. 283 h.):
“Isha tre vjeç, kur vështroja dajën tim, Muhammed Ibn Suvar, teksa falte namaz nate. Më thoshte: “Shko e flej se ma trazova zemrën!”
Një herë më tha: “A nuk e përmend All-llahun që të ka krijuar? Sa herë që të shtrihesh për gjumë, thuaj tre herë me zemër, pa lëvizur buzët: All-llahu është me mua. All-llahu më vëzhgon. All-llahu më vështron.”
E bëra këtë gjë për tre netë me radhë dhe e lajmërova. Pastaj më tha: “Thuaje nga shtatë herë!”. E bëra dhe e lajmërova. Pastaj më tha: “Thuaje njëmbëdhjetë herë!”
Pas kësaj fillova të ndjej një ëmbëlsi në zemër. Dhe, pas një viti, më tha: “Mësoje atë që të kam mësuar dhe vazhdoje pa ndërprerje, derisa të hysh në varr. Do të të bëjë dobi në këtë botë dhe në të përtejmen!”
Dhe, vazhdova në këtë gjendje për disa vite, ku ndjeja ëmbëlsinë e saj në veten time. Pastaj, një ditë, daja më tha: “O Sehl, ai që All-llahu është me të, e vëzhgon dhe e vështron, si mund ta thyejë urdhërin e tij dhe ta kundërshtojë? Ruaju nga gjynahet!”
Në këtë gjendje mësova përmendësh Kur’anin në moshën gjashtë a shtatë vjeçare…”
Dhe, Hoxha pyet: “Si mund t’ia imponojmë nefsit tonë dhikrin e All-llahut, dhikrin e vërtetë?”
Më tërhoqi leximi i kësaj pjese, për të thënë se është shumë e rëndësishme që t’i edukojmë fëmijët tanë me dashninë e All-llahut dhe mbikëqyrjen e Tij në jetë, në një kohë, kur përpjekje të shumta; të hapta e të fshehta, bëhen ditë pas dite për t’i dhënë fëmijëve tanë dhe brezit të ri nuancat e një brumosjeje pa besim e pa vlera, pa shpirt e pa moral, pa dashni për atdheun e kombin, pa respekt për trashëgiminë e vlerat etj.
Është bukur, kur fëmija të thotë: “Babë, e kam falë mesditën”.., a cilindo namaz tjetër të ditës, por jo vetëm për namazin.
“All-llahu është me mua. All-llahu më vëzhgon. All-llahu më vështron.”
All-llahu i ruajtë dhe i dashtë fëmijët tanë, i mbrojtë nga papastërtitë e femohimit, imoralitetit, devijimit…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 19 nëntor 2016