Namazi, namazi..!

Gjatë viteve të studimit në Sirinë e zemrës, kam pasur fatin e madh të dëgjoj e të mësoj edhe nga mendimtari i shquar, Dr. Mahmud Akkam.

E mbaj mend si sot, të xhumanë fatlume në Haleb, ku Dr. Akkam mbajti hytben e asaj jave. Njerëzit e rrethonin nga të katër anët, teksa dilte buzagaz, duke u përshëndetur me të gjithë me një modesti të admirueshme.

Atë ditë e vizituam në zyrën e tij… Pas një ndenje të mbushur me këshilla e porosi, na dhuroi disa nga botimet e tij në arabisht. Ndër ta edhe libri me titull: “Rruga e së mirës”, (Botimet “Fussilet”, Haleb, 1996), libër që sapo kishte dalë nga shtypi, me një paraqitje luksoze.

Sikurse shënohet edhe në nëntitullin e tij, Libri në fjalë, është: “Kërkim shkencor e praktik, për të cilin ka nevojë çdo musliman”.

Iu riktheva sonte, pas një dite të lodhshme në udhëtim. U ndala tek një kapitull, ku flitet edhe për namazin. Bën fjalë për edukimin e fëmijëve me kulturën e namazit.

[5. T’i urdhërojmë për kryerjen e namazit në kohët e veta që në moshën e dallimit të gjërave. Familjarët janë më të aftë ta dallojnë se kur nis kjo moshë tek fëmijët e tyre.

Ajetet kur’anore:

1. Thotë All-llahu i Madhëruar: “…faleni namazin në mënyrë të rregullt, sepse namazi është obligim për besimtarët në kohë të caktuara” – (En-Nisa: 103).

2. Thotë All-llahu i Madhëruar: “Urdhëro familjen tënde ta falë namazin, e edhe ti zbatoje atë…” – (Taha: 132).

3. Thotë All-llahu i Madhëruar: “Vazhdoni rregullisht faljen e namazit…” – (El-Bekare: 238).

4. Thotë All-llahu i Madhëruar: “Përkujtoju në këtë Libër Ismailin! … Ai urdhëronte familjen e vet me faljen e namazit dhe me zekatë…” – (Merjem: 54-55).

5. Thotë All-llahu i Madhëruar, teksa na tregon për këshillat e Lukmanit të urtë drejtuar të birit: “O djali im, fale namazin, urdhëro për mirë, e ndalo nga të këqijat…” – (Lukman: 17).

Hadithet profetike:

1. Tregon Ebu Hurejra (r.a), se Resulull-llahu (a.s) ka thënë: “Si mendoni sikur një lumë të kalonte pranë derës së shtëpisë së ndonjërit prej jush, ku të lahej pesë herë në ditë, a do i mbetej ndonjë papastërti?” – Thanë: Jo! Tha: “Kështu është edhe shembulli i pesë namazeve, me të cilat, All-llahu fshin gabimet!” – (Bukhariu dhe Muslimi).

2. Tregon Sebure ibn Mabed El-Xhuheni, se Resulull-llahu (a.s) ka thënë: “Urdhërojini fëmijët tuaj për namaz që në moshën shtatë vjeçare, qortojini për të në moshën dhjetë vjeçare dhe ndajini në shtretër!” – (Ebu Davudi dhe Ahmedi).

3. Tregon Ibn Mesudi (r.a): E pyeta Resulull-llahun (a.s): “Cila punë është më e dashur tek All-llahu?” – Tha: “Namazi në kohën e vet!” E pyeta: “Po pastaj?” – Tha: “Respekti ndaj prindëve!” E pyeta: “Po pastaj?” – Tha: “Përpjekja në rrugë të All-llahut!” – (Bukhariu dhe Muslimi).]

Natyrshëm, tekstet e mësipërme janë ilustrime udhëzuese, jo gjithëpërfshirëse në lidhje me temën e namazit.

Por, ajo që dua të lexoj përtej këtyre rreshtave, është domosdoshmëria e madhe që muslimanët e sotëm kanë për t’u kthyer tek edukata e namazit, tek praktikimi i tij, tek përsosja e tij, tek falja me fëmijët, shoqërimi i tyre në xhami, falja me xhemat edhe në shtëpi, në piknik, në udhëtim e kudo, ku falja e namazit na ruan dinjitetin e qenies tonë muslimanë dhe na dëshmon si respektues të Zotit Një!

Sepse, në fund të fundit: Namazi është shtylla kryesore e fesë; ai që e ruan atë, ka ruajtur fenë e tij!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 18 nëntor 2016