“Pa e fitue Shqipnija Lirinë mos më vini gurë mbi vorrin t’em!”

Është e pastudiuar si e sa duhet moria e madhe e shkrimeve, kushtimeve, vargjeve, himneve e përkujtimoreve kushtuar të Ditës së Pavarësimit të Shqipnisë sonë të shtrenjtë, në revistat islame të gjysmës së parë të shekullit 20.

E, kjo sasi e madhe tekstesh plot dobi, nëse vërteton, fakton ndjenjën e sinqertë kombëtare tek elitat muslimane të vendit tonë.

Më poshtë do sjell disa materiale nga revistat e njohura të kësaj periudhe, si: “Zani i Naltë”, “Kultura Islame” dhe “Njeriu”.

“ZANI I NALTË”

Numri 11, Nanduer 1937, viti XII, i kushtohet 25 vjetorit. “Dy fjalë mbi 25 vjetorin – Veteranët e Klerit Musliman”, është përmbajtja e “Landës” së këtij numri.

Ja si nis kryeshkrimi i këtij numri: “Njizet’ e tetë Nanduer 1912! Shqipnia u bâ, u njoft ai shtet indipendent.” – (f. 321)

“Feja Islame si feë e vërtetë qi âsht, kje çmue peej Shqiptarëve edhe pat fillue me u përhapë në Shqipni qysh para kohës së Skënderbeut. Prandaj nuk âsht çudi qi të përpjekim me emna muslimanësh ndër burra shqiptarë qi kanë jetue para Shkënderbeut.

Mbas humbjes së Skënderbeut, kleri Musliman Shqiptar kjenë ata qi dhanë kontributin mâ të madh në ruajtjen e gjuhës kombëtare; sepse ata, mësimet, këshillat dhe predikimet fetare i bânë në gjuhën shqipe…

Ndofta mund të thotë ndokush se këta kanë shkrue me alfabet arab! Ani qysh! Mjaft qi kanë shkrue shqip; mjaf qi këtij populli i kanë dhanë të kuptojë se edhe gjuha e tyne, -Shqipja- mund të shkruhet…” – (f. 330)

Janë të pashembullta përpjekjet dhe mesazhet e shumë hoxhallarëve tanë të nderuar për çështjen kombëtare. Ja disa shembuj të paçmuar:

* Hoxhë Muglica

“Leu në katundin Okshotun të Gollobordës në vjetin 1854.

Nga ndjekjet e pandame t’ushtërisë Sërbe më 1914 u detyrue të iki n’Elbasan ku fatkeqësisht u burgos nga rebelët e e munduën në mënyrë mâ shnjerzore: I vunë nji samár në shpinë dhe e qitën pazarit të Elbasanit tue e shtrëngue t’eci kamba-doraz sdhe tue i thanë se në këtë mënyrë i shpërblenin përpjekjet e veprat patriotike të tij.

Ndërsa ushtarët serb po e vritshin, Hoxhë Muglica bërtiste: “Rroftë Shqipnija! Rroftë Kombi Shqiptár!” – (f. 341)

* Hoxhë Voka (Sait Efendi Najdeni)

“Leu në Dibër të Madhe në vjetin 1868.

“Muslimanët e vërtetë – përsëritte gjithmonë – duhet t’a dijnë se feja Islame urdhëron me e dashtë Atdheun.”

Rreth vjetit 1888, Hoxhë Voka mundi të bâjë për vehte në Dibër nji tok të rinjsh plot etje për mësim shqip. Këtyne në shenjë dashunije u dhuroi nga nji Abetare!

Vdekjen e priti me stohicizëm të vërtetë aty kah mbarimi i Nandorit 1903 tue lânë këtë porosi: “Pa e fitue Shqipnija Lirinë mos më vini gurë mbi vorrin t’em; e mbassi të fitohet Lirija, të m’i veni tue i shkrue shqip dhe tue i vû nji flamur mbi ‘ta!”… Shqipnija u bâ; Hoxha heroik âsht vorr në Dibër, po vorri i tij nuk ka gurë!?…” – (f. 345)

* Hoxha Tahsini

“Hoxha Hasan Tahsini, âsht i njoftun jo vetëm si nji idealist i dorës së parë të Kombit shqiptar, por edhe si nji shkencëtar e filosof i ndëgjuar qi âsht ndera e lavdi i kombit t’onë.

Hoxha Tahsini ka lindun më 1811 në katundin Ninat të Konispolit në Çamëri.

Hoxha Tahsini nga pikpamja e shqiptarizmës mund të konsiderohet si mjeshtri i Sami Beut, i Ismail Qemalit e i Vaso Pashës e të tjerë qi kanë marrë pjesë në fillimin e lëvizjes kulturore në Stamboll më 1879.

Hoxha Tahsini ishte i mendimit që të krijohet nji alfabet thjesht i veçantë qi mos të shembullonte as me shkronjat arabe as me shkronjat latine. Nji kopje e këtij alfabeti ndodhet në dorë të Z. Hafiz Ali Korçës…” – (f. 355)

– vijon me mbarësinë e All-llahut –

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 27 nëntor 2016