Në vazhdim të vështrimit krahasimor në revistat “Zani i Naltë”, “Kultura Islame” dhe “Njeriu”, mbi temën e frymës kombëtare dhe atdhetarizmës në gjurmët konkrete të hoxhallarëve dhe intelektualëve muslimanë shqiptarë, po vijoj sot me pjesën dytë, duke evidentuar disa prej shembujve të vyer në këtë hapësirë.
Vijon nga revista “ZANI I NALTË”…
* Mehmet Hoxha i Brutit
“Hoxhë Bruti, lindur në katundin Brut të Kuksit me 1884, ishte prej nji familje fisnike e fetare. Mbaroj mësimet Theologjike në Prizren dhe u emnue Imamë në katundin e vet, Brut.
…
Hoxhë Bruti, me qi ishte eshe nji prîs fetar, mundi me i mbushë menden shum kuej për atdhetarizëm e sidomos xhemaatit të vet e krah për krah me ta luftoj pa prâ: me Serbie më 1912 ke Kulla e Lumës, ke Ura e Vezirit afër Kuksit si edhe në Zhuri (Zhur)…
Në kët luftë Hoxhë Bruti fatkeqsisht humbi edhe dy mashuj të vet, nji nip e nji kushëri të cilët ranë dëshmorë aty për aty.
Pas ksaj, Austria në kohën qi pati okupue Shqipnin, për arsyena atdhetarizmi pati interrnue edhe Hoxhë Brutin me shumë krén e Bajraktar, të cilët i dërgoj në Shauduna, ku vuejtën mâ se 20 muej.
I ndjeri Hoxhë Bruti bashk më Bajraktarin e Hasit, Ram Rexhen, e krenë të tjerë, qe i ftuem prej Ismajl Qemal Vlonës, kur ngritën Flamurin, për të lidhë besë qi të mbajnë Shqipnin…” – (f. 359-360)
* Sheh Shamiu
“Haxhi Hasani i titullueshëm Sheh Shamiu ka le në Shkodër, ku ka kry studimet e para e masandej ka shkue në Stamboll, ku ka krye studimet e nalta Teollogjike…
…
Ka luejtë nji rol të madh në përdorimin e gjuhës shqipe ndër predikime e këshilla fetare nëpër xhamija edhe ásht krijuësi i hytbeve shqipe në Shkodër…” – (f. 367)
“KULTURA ISLAME”
* Poezia me titull: “28 Nanduer”
(Përkthimi në prozë i poezisë italishte mbi 28 Nanduerin)
Poezia ka nëntë strofa dhe ka për autor J. Kodra. Dua të veçoj prej saj strofën e fundit:
“Flamuri Shqyptar kryenaltë,
Valon n’erë dhe nën ngjyrat e tij,
Vllaznit e shpërndam bashkon ma s’fundi;
Gazëmendshem e të përflakët, mallëngjyeshëm,
Për dashtni t’ambël t’Atdheut rrahin zemrat t’ona,
Le të shikojmë gëzueshëm në kufinin e ri të drejtë”. – (viti III, ne. 3-4, Nanduer-Dhetuer, 1941-XX, f.73)
Pavarësisht prekjeve të politikave fashiste të kohës në atmosferën e poezisë, mesazhet e saj me vlerë kombëtare, edhe pse të rënduara sadopak konjukturalisht (veti që s’i ka shpëtuar asnjë kohe në botimet tona), kanë vlerën e tyre në raport me temën.
* Puna, përpjekja dhe koha e tyne…
“Përpjekja për sigurimin e jetesës âsht nji detyrë e domosdoshme mbi çdo musliman, qi duhet të bâhet me drejtësi, me njerzi, me sinqeritet, me fisnikëri e plotësisht në mënyrë të kullutë; dhe e qindrueshme.
…
Feja Islame punën e ka ba si nji shtyllë themelore për sigurimin e lumnis së çdo njeriu e të çdo populli. Sa ma tepër qi të jetë përpjekja me drejtësi e në mënyrë të kullutë, aq ma tepër lulzon e mbara dhe vazhdon fatbardhësija…” – (viti i IV, nr. 3-7, Nanduer-Mars, 1942-1943, f. 54)
Në fakt, këto lloj mesazhesh, që nxisin masat drejt rrugëve të mirëqenies, mendoj se kanë vlerën e tyre të madhe, edhe përtej urimeve a mesazheve rutine e plot burokraci pa kuptim, që shpesh i hasim aty-këtu në botime të ndryshme.
* Flamuri
“Sikurse gjuha qi asht sheji mâ i madh i nji kombi, shej qi danë njenin popull prej tjetrit, e pa të cilin nuk mund të mendohet nji popull se asht gjallë, ashtu edhe flamuri dallon kombet njenin prej tjetrit.
Si në ditë të soçme ashtu edhe në kohna të vjetra sejcili popull pat flamurin e vet.
…
Flamuri njehet si nji gja e shejtë për të gjithë kombet.
…
Mbasi flamuri paska kaq randsi të madhe, e kenka shej nderi e burrnije, kështu do të jetë edhe për ne flamuri kuq e zi…” – (Shkruar nga Veli Hafizi, vit’ i V, nr. 2-3 (50-51), Tetuer-Nanduer, 1943, f. 50)
– vijon me mbarësinë e All-llahut –
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 28 nëntor 2016