Në vazhdën e ekspozimit të disa teksteve me vlerë mbi temën e pavarësisë dhe ndjenjës kombëtare tek hoxhallarët dhe intelektualët e shkuar muslimanë të vendit tonë, në mbyllje të këtij cikli me tri hallka, (natyrshëm, duke theksuar se kjo punë imja modeste ka për qëllim vetëm një pasqyrim sipërfaqësor, jo më tepër), dua të sjell në vëmendjen tuaj edhe disa gjurmë të mrekullueshme, të regjistruara nga botimet e asaj kohe.
Vijon nga revista “KULTURA ISLAME”…
* Gjuha amtare
Nën rubrikën “HIMNI I JETËS”, botohet edhe kjo poezi e bukur me njëzet strofa, me titullin e lartcituar: “Gjuha amtare”. Po sjell një pjesë prej saj:
“Edhe yjtë edhe Djelli…
Kurr, dhe Hëna s’na ndriçonë;
As kometat që nga Qjelli…
Zemrën kush s’na e përgëzonë!
Gjuh’ amtare, plot kujtime
Se, në Ty lind, me Ty vdesë!
Për hir t’ënd na bëjnë nderime…
Dhe s’na lënë në harresë!
…
Gjuh’ e shijshme, Gjuh’ Shqiptare;
Gjuh’ antike, e kulluar.
Gjuh’ e hijshme, Gjuh’ krenare,
Gjuh’ e ëmbël, e nderuar!
…
Rreth Ty, tërë do qëndrojmë
Simbol jete pse të kemi;
Dhe, me gjak do të këndojmë
Djem e vasha, gjith sa jemi!
…
Rrofsh! O Gjuha Kombëtare
Shpres’ e Jetës dhe mburojë
Rroft Rinija Shqipëtare
Me vepra të t’lulëzojë!” – (M. L., viti i VI, Prill, 1945, nr. 3-4 (63), f. 72)
“NJERIU”
(Revistë e përmuejshme shpirtnore kulturore
Korrik 1942 – Shtator 1944)
Shënimet e këtij cikli do t’i mbyll me revistën “Njeriu”. Janë shkrime, studime, mesazhe, kujtime, himne e përkushtime pa fund, që i kushtohen dashnisë së Atdheut, flamurit, harmonisë e vëllazërisë kombëtare, etj., që mbushin faqet e numrave të ndryshëm të saj.
(Besoj se, studiuesit dhe të interesuarit për t’u thelluar akoma më tej, kanë shumë për të nxjerrë nga kjo gurrë e vlefshme e ndjenjës kombëtare).
* NAIMI, poeti i flaktë i lirisë dhe i bashkimit kombëtar
“Gjithë ç’jemi Shqipëtarë,
Jemi një fis e një farë,
Kemi tërë një shpresë,
Një gjak, një gjuhë, një besë,
Besë kemi Perëndinë,
Dhe ligjë vëllazërinë…” – (viti i II-të, Tetor 1943, nr. 4 (16), f. 1)
* Urtësi o shqiptarë!
Autori, Vasil Xhaçka, teksa shkruan mbi kthimin e eshtrave të Naim Frashërit në atdhe, si “një dëshirë e Shqiptarismit”, i referohet Poetit tonë të madh kombëtar, që shkruante:
“Të munjam të fluturonja e të kisham krahë si ti!
Me gaz të math do t’i vinjam Shqipërisë brenda në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën!” – (po aty, f. 9)
* Babaj’ i Kombit
Në këtë shkrim, autori, Shero Imami thekson se: “Naim Frashëri këndoj bukurit dhe madhështin e mëmëdheut të dashur…
Aty u lind, rojti, shkrojti, dhe vdiq po për Shqipnin e bukur…
…
Naimi nuk shkroj poezi, që të dukesh nesër si poet, por ay desh që t’i shërbente vendit në çdo mënyrë, shkroj historin t’onë të shkëlqyer tri mij vjeçare, epopet epike, e veprat e njerësve, që ka nxjerrë gjiri i ynë…
…
Prandaj Naimi qëndron i pari në mes të njerësve e fytyrave të këtij kombi…” – (po aty, f. 12)
* Hymn’ i ri i Flamurit
Himni në fjalë është nxjerrë nga libri: “Konkursi për Hymnin e Flamurit”. Osja i Ri, është emri i autorit të Himnit, prej të cilit po citoj:
“O Flamur, yll i Lirisë,
Valëvit me plot shkëlqim,
E prej qiellit t’Shqipërisë
Të dëgjohet në amshim
Rrahja e lum’ e palës s’ate,
Kuq si gjaku trimëror
I krenarve bij që pate
Dhe për nder t’u bënë theror! …” – (viti i II-të, Nanduer, 1943, nr. 5 (17), f. 1)
* Pas tridhjet e një vjet!
“Si shkuan tridhjet e një vjet?
…
Kaluan tridhjetë e nji vjet, si tridhjetë e nji ditë!.. Shumica e atyre duarve të bekuara që ngritën Flamurin Kombëtar në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, dyke pasur në krye Plakun e Shenjt, Ismail Qemalin, kanë perënduarë!..
…
Historia na tregon se një komb, një popull ose një shoqëri njerëzore, që nuk mban të lidhura ngushtësisht marrëdhënjet shpirtnore me kujtimet e shenjta të brezave të kaluara, një vend që mohon shtratin themelonjës së rezistencës gjakut e racës me të cilët është gatuar gjatë udhëtimit të shekujve, si përfundim tragjik i humbet tiparet e vërtetësia ethnike, dhe i bjerë cilsitë e shquara të ndjesive bujare e fisnike.
…
Nuk kam për të harruar kurrë, deri sa të vdes, pamjen mallëngjimtare të 28 Nëntorit 1940-tës, kur kërkohesh kremtimi i kësaj dite të shenjt, nën hijen e zezë t’atij flamuri të bastardhuar me këthetrat dredhanike fashiste…” – (Gjimimi i Tomorrit, po aty, f. 5-7)
Për mbyllje,
Janë të panumërta gjurmët e shkruara e të arkivuara të ruajtjes së vetëdijes kombëtare, nderimit të flamurit kombëtar e nxitjes së atdhedashurisë, (por, jo vetëm), në jetën dhe gjurmët e hoxhallarëve tanë, intelektualëve të shquar muslimanë, medresistëve, imamëve e besimtarëve të edukuar e mëkuar me këtë frymë për gjatë shekujve, dekadave e viteve.
Prandaj, sot më shumë se kurrë, duhet të kthejmë mbrapsht dhe të distancohemi nga krejt propagandat ogurzeza të disa modeleve pa identitet, që shiten e reklamohen si atdhetarë të flakët, teksa përhapin gjithandej urrejtje, të andrallosur në botën e tyre antagoniste e plot mllefe kundër muslimanëve, hoxhallarëve dhe imamëve të kombit!
Ne si muslimanë, Islamin tonë e kemi të shenjtë! Njëkohësisht, nuk fyejmë fenë e askujt dhe përpiqemi maksimalisht të ndërtojmë ura komunikimi, duke dëshmuar vullnetin e madh të ruajtjes dhe mbrojtjes së harmonisë kombëtare dhe asaj humane me këdo që dëshmon pjekuri, vlera dhe dinjitet!
Pa udhëzimet e Islamit tonë, ne nuk do ishim këta shqiptarë që jemi, as do lexonim me krenari e përulje shembullin dhe gjurmën e gjyshërve dhe baballarëve tanë muslimanë, që i shërbyen kombit dhe atdheut me këtë shpirt, aq sa Vetëm Një Zot e di!
All-llahu i begatoftë shqiptarët e urtë e të ndershëm, na udhëzoftë të gjithëve drejt më të mirës, na bëftë të dobishëm për vete, krenarë e plot dinjitet, respektues të njëri-tjetrit, mbrojtës të kufijve të tolerancës, ushqyes me vepra konkrete të harmonisë e vëllazërisë kombëtare, shembull për të sotmen dhe të ardhmen!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 29 nëntor 2016