Mirë se vjen o Hanë e Mirë, o Dritë e Dashtun, o Bukuri pa krahasim, e përkujtimit të Lindjes së Ma të Mirit e ma të Dashtunit, salavatet e selamet e Zotit të gjithësisë qofshin mbi Zotninë e tij…
Elhamdulilah, o Zot, që na e mundësove rikthimin e përkujtimit të kësaj mirësie mbi mirësi! Ty të qofshim falë që i ngrohe zemrat me prekjet e Dashnisë së zotnisë së bijve të Ademit…
All-llahumme, në këtë natë fundnëntori e fillim rebiulevveli, përhap mbi botën tonë miskun e salavatit, bekimet e selamit dhe përmendjen e emrit MUHAMMED, që kjo botë të paqtohet e të dritësohet, në këto dimra të acarta, që u mungon ngrohtësia e përmendjes Tande, ëmbëlsia e salavatit sherifë, djegia e zemrës për Dritën e gjithësisë…
All-llahumme, o Zot i Lindjes dhe i Perëndimit! O Krijues Mëshirëplotë, në këtë natë të ftohtë, ku bota ngrihet e njerëzimi mërdhin nga mungesa e pranisë së atij shpirti të madh që ngroh e dhuron pranverë; dhuro paqe e ngrohi zemrat, bekim e butësi shpërndaj mbi ne skamnorët e rraskapitur nga rrugëtimet e hutuara larg Teje e Dritës së Ma të Dashtunit…
All-llahumme, o Zot i Përhershëm! O i Gjallë, që nuk kurrë nuk vdes! Me madhninë Tande, bëje këtë Muaj të zemrave të strukura në qoshkun e mallit, kthim nga Dera Jote, rendje pas Dritës së Habibit, krenari e lavd për të dashurit e Tu, besnikët e Fjalës Tande, të përulurit para shfaqjes së lavdishme të Vulës së Ma të Mirëve e Ma të Dashtunve…
Mirë se vjen, o Hanë e Madhe! Mirë se shfaqesh mbi botën tonë, duke mbushur horizontet me amber e misk, me bukuri e ëmbëlsi, me mall e sihariqe, mbi të cilat shkruhet me harfe nuri: “Është e vërtetë se All-llahu u bëri dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta, nga mesi i tyre dërgoi një të dërguar…” – (Kur’ani, Ali Imran: 183), duke zbukuruar gjithësinë me butësi e salavate…
U shfaq Hana e Mevludit, ngrihuni e lajmëroni me të madhe, kudo qofshi e me këdo qofshi! Përhapeni gjithandej lajmin e bekuar! Erdhi Hana e Salavatit, o njerëz, zgjohuni e shpresoni!
“Mirë se vjen, O robi i Zotit,
Edhe mâ i dashtun’i Tí,
Mirë se vjen, O Hyll i motit
Nuri i Zotit Ti je, Ti!..” – (Hysni Bushati, 1932)
Elhamdulilah… Mirë se vjen… All-llahumme sal-li ala sejjidina Muhammed… Pafundësisht e pambarimisht, salavatet dhe selamet e gjithësisë, mbulofshin Kupolën e Gjelbërt dhe zotninë e saj, me bekim e paqe nga burimet e zemrave që dëshmojnë me krejt forcën e universit: “Muhammedi është i dërguar i All-llahut!”…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 30 nëntor 2016