
Para ca vitesh, gjatë përgatitjes për botimin e një vëllimi me studime islame (ende në dorëshkrim), pata grumbulluar materiale të shumta mbi jetën dhe veprën e Imam Shafiiut. Natyrshëm, vargjet e tij, të grumbulluara në një “Divan”, (që ai kurrë s’e shkroi gjatë jetës së tij, si një vepër e vetme), më thirrën nga thellësia e vlerave dhe përshpirtjes së tyre për t’i sjellë në shqip.
Brenda mundësive të mia e bëra një gjë të tillë, pjesërisht dhe, pjesë nga “Divani” dhe urtësitë e Imam Shafiiut u botuan asokohe në botimin e përvitshëm të Bashkësisë Islame të Kosovës, “Takvim”, Prishtinë, 2006, viti 37 i botimit.
Normalisht, në vitin 2006, isha shumë i lumtur kur pashë se ajo punë modeste ishte vlerësuar dhe tashmë, po shihte dritën e botuesit.
Kanë kaluar vite dhe, iu risolla këtij vëllimi me studime, ku spikasin edhe shënimet për Imam Shafiiun, që e pashë me vend t’i redaktoj, t’i rishoh dhe t’i sjell për ju, me dëshirën e mirë të përfitimit.
Muhammed Idrisi, u lind në Gaza, në bregdetin e Palestinës, në vitin 150 hixhri. Në po atë ditë vdiq dijetari i madh islam Ebu Hanife.
Në lidhje me këtë fakt, studiuesi Muhammed Ali el- Kutb thotë: “Interesant është fakti se viti në të cilin u lind Imam Shafiiu, është i njëjti vit në të cilin vdiq Imami Ebu Hanife…viti 150 hixhri… Ky fakt sikur don të na tregojë se flamujt e diturisë do të vazhdojnë të valviten, brez pas brezi…” – (Muhammed Ali el-Kutb, “El-fukahaul-erba”, f. 106).
Pas Gazës, së bashku me të ëmën udhëtuan drejt Mekkës, sepse e ëma ishte kurejshite. – (Po aty, f. 107).
Kur’anin e mësoi përmendësh që në moshën shtatë vjeçare. Gjuhën e pastër dhe letrare arabe, si dhe elokuencën në të shprehur, i mësoi nga fisi Hudhejl, që ishin ndër letrarët më të shquar arabë të kohës, ku qëndroi 10 vite. Atje zuri shumë prej mjeshtrisë gjuhësore dhe letërsisë së tyre. Me këtë rast fitoi edhe dhunti, me të cilat arriti të kuptonte si duhet ajetet kur’anore dhe hadithet profetike.
Kthimin e tij në Mekë, e tregon si vijon: “U ktheva në Mekë dhe fillova të ligjëroj, duke përdorur poezi, fjalë të urta dhe shumë prej lajmeve të arabëve. Ndërkohë m’u afrua një burrë i fisit Zubejr, i cili më tha: “Sa do të kisha dëshiruar sikur kësaj pastërtie në të folur, kësaj fryme letrare e kësaj zgjuarsie mos t’i bashkangjisje jurisprudencën islame; atëherë do të mbretëroje njerëzit e kohës tënde!” – (Mahmud Bixho, “Divanush-Shafii ve hikemuhu”, f. 3).
Pasi e kishte mësuar Kur’anin përmendësh, e ëma e udhëzoi drejt perfeksionimit të këndimit të Kur’anit (tilavet), texhvidit dhe komentimit (tefsir) të tij, në duart e hoxhallarëve të Mesxhidi Haramit (në Mekkë). Në moshën trembëdhjetë vjeçare ai kishte arritur në shkallë të lartë diturie… Historianët thonë: “Shafiiu kishte zë të ëmbël dhe të mekur. Tingulli i tij kishte shenjat e frikës dhe adhurimit ndaj All-llahut. Kur e këndonte Kur’anin në Mesxhidi Haram, njerëzve u binte të fikët para duarve të tij dhe nga të qarët e tyre krijohej një zhurmë e veçantë…Kur e vinte re këtë, ai e ndalonte këndimin” – (Muhammed Ali el-Kutb, “El-fukahaul-erba”, f. 109-110).
Ndërsa prej veprimeve interesante të Imam Shafiiut, gjatë kërkimit të hadithit dhe komentimit të tij, ishte edhe mbledhja e kockave të gjëra të shpatullës së ndonjë kafshe, për të shkruar mbi to, sepse ai ishte i varfër dhe s’kishte mundësi të blinte as letrën për shkrim. – (Po aty, f. 111).
Për këtë, ai thoshte: “Kërkuesi i diturisë ka nevojë për tri gjëra: Jetëgjatësi, stimulim dhe zgjuarsi”, duke përmendur stimulimin material menjëherë pas jetës…
Po në lidhje me fëmijërinë e tij, vetë Shafiiu (r.a) thoshte: “Nuk kisha pasuri, njëkohë që diturinë kisha filluar ta kërkoja që në moshë të vogël. Shkoja te divani (zyra postare) dhe kërkoja të më falnin copa letrash. Mbi ta shkruaja…” – (Muhammed Suvejd, “Menhexhut- terbijetin- nebevijje”, f. 373, duke iu referuar veprës: “Safahatun min sabril-ulema”, të dijetarit të shquar, Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh, f. 55, botimi i dytë).
– vijon, me mbarësinë e All-llahut –
Studioi: Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 11 shkurt 2017