Imam Shafiiu- Muhammed Idrisi (2)

Gjuha e Shafiiut dhe mendimet e bashkëkohësve të tij

Tregon Rebi ibn Sulejmani: Kam dëgjuar Ibn Hishamin (gjuhëtarin dhe historianin e njohur arab), që thoshte: “Kam ndenjur shumë në prezencë të Shafiiut, por asnjëherë s’e kam dëgjuar të flasë ndonjë fjalë pa kuptim, sikurse s’kam dëgjuar fjalë më të bukura se të tijat”.

Ai, gjithashtu thoshte: “Kam ndenjur me Shafiiun për një kohë të gjatë, por asnjëherë s’e kam dëgjuar të flasë ndonjë fjalë, veçse të kuptueshme për dëgjuesin; më të bukura se ato fjalë në gjuhën arabe, s’mund të gjente”.

Thoshte gjithashtu: “Fjalët e Shafiiut janë version argumentues në gjuhën arabe!”.

Ndërsa Asmaiu, thoshte: “Jam marrë me vërtetimin e poezive të fisit Hudhejl, duke i krahasuar ato me poezitë e një djali të ri kurejshit. I thonin, Muhammed Idris Shafiiu”.

Ndërsa Xhahidhi i famshëm, jepte këtë vlerësim: “Kam lexuar në librat e gjenive që bënë emër në dije, por s’kam lexuar fjali më të bukura se ato të Muttalibiut (Shafiiu rridhte nga fisi i Muttalibëve). Sikur gjuha e tij nxirrte florinj”.

Junus Abdul-Ala, thoshte: “Kur Shafiiu merrte të fliste në gjuhën arabe, thoje: Më të ditur se ky s’ka! Kur merrte të fliste në poezi dhe thurte vargje, thoje: Më të ditur se ky s’ka! Kur merrte të fliste në jurisprudencën islame, thoje: Më të ditur se ky s’ka!”.

Ndërsa dijetari i madh i letërsisë arabe, Muber- ridi, ka thënë: “E mëshiroftë All- llahu Shafiiun. Ai ishte më poeti ndër njerëz, më letrari ndër ta dhe njohësi më i mirë i Kur’anit ndër ta”.

Imam Shafiiu ishte një dijetar i madh, prej dijes së të cilit kërkuesit e saj të sinqertë merrnin e merrnin… Burimi i tij s’shterronte…
“Pas namazit të sabahut, ai ulej në xhami dhe fillonte, pikë së pari, me këndimin e Kur’anit dhe shkencat e tij. Kur mbaronte kthehej nga hadithi… E kur përfundonte edhe këtu, kthehej nga dijet e gjuhës, letërsisë dhe poezisë… Dukej si një universitet me shumë degë…” – (Muhammed Ali el-Kutb, “El-fukahaul-erba”, f. 146).

– vijon, me mbarësinë e All-llahut –

Studioi: Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 12 shkurt 2017