
Krejt iniciativat e mëdha në historinë e njerëzimit e kanë një zanafillë. Asgjë nuk vjen nga pozitat e frikës, ndrojtjes, stepjes, pozitës së strucit, dembelisë, parazitizmit, injorancës, fanatizmit të verbër, mendimeve të vjetëruara e atyre të kolonizuara nga jashtë a brenda…
Nëse dikush ka të drejtë të mendojë e të projektojë për rimëkëmbjen, në të gjitha format legjitime dhe me krejt detajet e saj, padyshim që e kanë edhe 1 miliard e kusur muslimanë në mbarë botën, të ndarë në shtete e komunitete, si kurrë më parë në histori. E kanë këtë të drejtë, madje, ka shkuar vonë, edhe pse kurrë nuk është vonë për t’u ringritur…
Nuk mund të njollosen mësimet e Kur’anit, as ato të Hz. Muhammedit (a.s), për shkak të padijes, edhe nëse ajo bëhet kult në mesin e njerëzve (a disa sosh), njësoj siç na e ka vërtetuar historia e mjerë e vendit tonë nga viti 1967 e në vijim… Është padrejtësi, nuk ka logjikë, nuk duhet ta pranojmë, edhe pse, për dikë është bërë metodë jetese..!?
Sa e sa ajete kur’anore, sa e sa hadithe të mrekullueshme, na nxisin në vazhdimësi në heshtjen e tyre, drejt trashëgimit të tokës, mbrojtjes së saj, posedimit të forcës për të ndërtuar me të, thellimit në dije e shkencë, perfeksionimit të artit të komunikimit, të shkruarit bukur, arkivimit me ndershmëri të ngjarjeve dhe historisë, ndërtimit të urave të harmonisë komunitare me qëllim ruajtjen e paqes sociale, respektimit të shenjtërive të tjetrit dhe moscënimit të tyre, fitimit të pastër dhe ngritjes së pasurive të bazuara mbi mundin dhe sakrificën e pastër, ndërtimit të moralit dhe dallimit në mesin e njerëzve me anë të etiketës së mrekulkueshme islame etj.!
Sa e sa ndodhi konkrete, përgjatë 15 shekujve të fundit, që formësojnë në sytë e mendjes sonë, se jeta pa përpjekje drejt rimëkëmbjes, është jetë e çuar dëm!
Sa e sa mësime ka pësuar ky ymmet nga keqpërdorimi sistematik i tij për të vegjetuar në heshtje në llumin e politikave që mbysin nervin komunitar, që zhbëjnë krenarinë legjitime shekullore dhe që keqpërdorin takame të dorëzuara para tyre, nga pamundësia krijimit të modeleve fisnike rimëkëmbëse!
Kjo është meseleja! Koha është e rimëkëmbjes, jo e shitjes së dinjitetit në emër të teorive të pavlera të bazuara në keqlexime të fesë dhe të dëshmuara si shëmti komunitare në praktika modelesh pa klorofil!
Krejt iniciativat e mëdha në historinë e njerëzimit e kanë një zanafillë. Asgjë nuk vjen nga pozitat e frikës, ndrojtjes, stepjes, pozitës së strucit, dembelisë, parazitizmit, injorancës, fanatizmit të verbër, mendimeve të vjetëruara e atyre të kolonizuara nga jashtë a brenda…
Edhe për t’u ndarë nga gabimet, përpjekje drejt rimëkëmbjes është!..
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 13 shkurt 2017