
Nga poezitë dhe divani i Imam Shafiiut
Për poezinë, Imam Shafiiu në veprën e tij “El-Ummu” thotë: “Ajo është fjalë prej fjalëve; e bukura e saj është e bukur dhe e shëmtuara e saj është e shëmtuar!” – (Marrë nga përmbledhja e fetvave të dijetarit, Prof. Dr. Muhammed Said Ramadan el-Buti, “Mean-nasi”, f. 188).
Poezitë e Shafiiut janë vargje të mbledhura nga librat e tij, jo se ai ka shkruar ndonjëherë poezi, të grumbulluara në një vëllim të veçantë. Madje mund të themi fare mirë se Imami kishte opinionin e tij në lidhje me poezinë, të cilën e konsideronte të papërshtatshme për dijetarët e fesë, kjo sepse në një prej vargjeve të tij, ai shprehimisht thotë:
Sikur të mos ishte turp për dijetarët poezia,
Sot, do të isha më poet se Lebidi! – (Mahmud Bixho, “Divanush-Shafii ve hikemuhu”, f. 7).
Në vargjet e Imam Shafiiut, mund të gjejmë herë një varg, herë dy, herë tre, e më e gjata pjesë nga poezitë e tij përbëhet nga 15 vargje. Lëvroi dendësisht gazelën*, por pa mohuar kasiden dhe rubairat.
Poezitë e Shafiiut janë shumë pak duke marrë parasysh edhe faktin, se disa vargje prej tyre i atribuohen ndonjë poeti tjetër. Megjithëkëtë, poezitë e plota të Shafiiut janë përmbledhur për herë të parë në vitin 1622 nga Ahmed ibn Ahmed Axhemiu.
Të tjerë pas tij janë marrë me studimin e tyre, hulumtimin dhe shpjegimin e kuptimeve të mëdha që mbartin.
Pjesë nga divani i Shafiiut
Shpirti i lirë
Vullneti im- është vullnet mbretërish,
shpirt i lirë- është shpirti im.
Përulja për të është mosbesim!
Heshtja përballë të keqit
Më flet i keqi ashtu siç flet,
urrej t’i jap përgjigje.
E shton rë keqen e tij çdo ditë,
unë përballë tij shtoj mirësitë,
si bahuri, që zjarri i shton erën e mirë.
Përgjigja ndaj të keqit
Thuaj ç’të duash, kur nderin të më shashë,
heshtja ime ndaj të keqit përgjigje është
Përgjigjen, s’e ndaloj, por,
S’u shkon luanëve, lehjen e qenëve të kthejnë!
Përgjigjja ndaj një fodulli
Kur të flasë fodulli, mos iu përgjigj.
Përgjigjja ndaj tij është heshtja!
Kur ti flet, ai gëzohet,
kur ti hesht, nga inati vdes.
Heshta kur fodulli foli, saqë kujtoi,
S’e nga pamundësia heshta,
por jo nga pamundësia heshta!
Askush s’shpëton nga fjalët e njerëzve
Askush nga fjalët e njerëzve nuk shpëton,
edhe sikur Lajmëtar i pastër i Zotit të ishte.
Nëse hesht, thonë memec i shkreti,
e nëse flet, thonë fjalëkeq i mjeri.
Nëse agjëron dhe natën falet,
gënjeshtar, thonë, egoist dhe mashtrues!
Studioi: Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 14 shkurt 2017
————————
* Gazela është “një formë vjershërimi poetik me një kod të papërsëritshëm, që orientalistët e quajnë të lindur për të shprehur lirizëm. Nga studiuesit e letërsisë gazeli është krahasuar me sonetin dhe disa pikëtakime e ngjashmëri midis tyre janë gjetur”. Shih: Shaban Sinani, “Prurje kulturore orientale”, Tetovë, 2007, f. 286.