Para dy netësh, një i ri musliman prej atyre, me të cilët na takon të mburremi, (për moralin, edukatën, mirësjelljen, formimin dhe rrugët e hallallit në jetë), më komunikoi dhe më kërkoi kontaktet e dy familjeve në nevojë, për te mbuluar shpenzimet e tyre për Muajin Ramazan…
Më gëzoi pa masë kërkesa e tij. U luta që All-llahu i Madhëruar, t’ia begatojë jetën, rizkun, sakrificën e lodhjen e tij. Sot, iu përgjigja kërkesës. Më falënderoi dhe më uroi nga ana e tij. U befasova nga mirësjellja dhe korrektësia e tij për ta plotësuar në çdo detaj bamirësinë e tij. (Më falënderon dhe më uron për një shërbim, që po e bëja me kënaqësinë më të madhe, për të ndihmuar dy familje shkodrane, në prag të këtij Ramazani).
Veprimi i këtij të riu musliman, më kujtoi vitet e studimeve në Damask. Eh, si vinte Ramazani në tokën e bekuar të Shami Sherifit… Ne, studentët muhaxhirë, ishim të privilegjuarit e këtij Muaji… Por, jo vetëm ne ishim të privilegjuarit e tij…
Kudo uleshin çmimet. Gjithandej kishte oferta të veçanta për Muajin e mëshirës, faljes e bamirësisë. Tregtarët jepnin pa fund zekat e sadeka. Falnin borxhet e fshinin defterët e hallexhive. Njerëzit, sikur ndryshonin në atë muaj, duke shtuar mirësi e paqe, mbi mirësinë dhe paqen e brendshme që dominonte në atë vend e tokë të begatë…
Kujtoj një rast, teksa dilja nga mensa e banesës së studentëve, pas ngrënies së syfyrit… Ishte akoma natë. Një nga komshitë tanë të moshuar, (që përherë vinte në xhami me tesbihët e gjatë në dorë e me kokën e ulur duke mërmëritur dhikre e salavate…), pa folur më afrohet dhe më kap dorën. Lëviz me të shpejtë, pa më parë e pa më folur, pa buzëqeshur e pa bërë asnjë lëvizje të mimikës, përveç mërmëritjes në dhikre…
I befasuar nga kjo lëvizje e pazakontë dhe e shpejtë e tij, teksa shihja komshiun plak duke iu afruar xhamisë me hapat e tij të paqtë, konstatoja se më kishte dhuruar diçka nga pasuria e tij, që e shtrëngoja në dorë pa e ditur se ç’ishte… (Asokohe, studentët gëzoheshin nga dhurata të tilla monetare, që në të shumtën e rasteve konvertoheshin në libra…)
Sa e sa raste na njoftonin se një tregtar a një inxhinier, një avokat a një pedagog, një deputet a një drejtor banke, një imam a një hoxhë, një komshi a një i njohur i xhamisë, shtronte iftar për studentët dhe familjarët, për të varfërit e nevojtarët, për miqtë e vëllazërinë e xhamisë… Dhe, kështu, tërë ky Muaj i begatë, funksiononte si një mekanizëm i madh, që i vinte të gjithë në lëvizje drejt përfitimit nga frymërat e bamirësisë, mëshirës, faljes, altruizmit, ndarjes së zekatit, pendimit e shtimit të dhikreve, rregullimit të namazit e korrigjimit të sjelljes… Si të thuash, në atmosferë, kudo ndjehej se ishte Ramazan, edhe pa u lajmëruar, edhe pa e parë Hilalin e tij…
Këtë nostalgji të paharrueshme për Damaskun e zemrës, Jaseminën e shpirtit, ma solli në hatër djali i ri shkodran me kërkesën e tij bujare…
All-llahu e begatoftë pasurinë e tij dhe të kujtdo që mendon dhe planifikon të ndryshojë rutinën e muajve të shkuar, në këtë Muaj të Madh të ndryshimit, drejt transparencës shpirtërore dhe lartësimit komunitar…
Po vjen Fryma e Mubarekut Ramazan, o njerëz..!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 1 qershor 2016