Sot, dua të ndaj me ju ndodhinë e një gruaje të varfër, në ekstremin e varfërisë. Ajo kishte një familje të madhe dhe mjerimi i kishte zënë derën.
Vendosi që të kërkonte ndihmë në emër të Zotit, nëpërmjet një emisioni radiofonik, ku telefonoi dhe rrëfeu hallin e saj.
Një ateist i pasur, që po e dëgjonte emisionin në fjalë, vendosi të tallej me gruan e gjorë. Pasi siguroi adresën e saj, thirri sekretaren e tij dhe e porositi të shkonte në treg dhe të blinte një sasi të caktuar ushqimesh dhe t’ia dorëzonte gruas në fjalë.
“Kur gruaja të pyesë, se nga kush e ka këtë mirësi, thuaji: nga shejtani!” – tha ateisti, duke u qeshur me të madhe!
Dhe sekretarja pohoi me kokë. Doli në treg, bleu ushqime të bollshme, sipas porosisë dhe u nis për tek familja e varfër. Trokiti në derë. Kur e zonja e shtëpisë e pa dhe mësoi për qëllimin e vizitës së saj, u gëzua shumë dhe nuk dinte si ta falënderonte këtë bamirësi…
Në një moment, sekretarja e pyeti: A nuk do ta dish se kush t’i ka dërguar këto ushqime?
Gruaja e varfër iu përgjigj: “Jo, nuk më intereson, sepse kur All-llahu e cakton një gjë, edhe shejtanët i binden!”
Këtë ndodhi të shkurtër, vendosa ta përkthej nga gjuha arabe dhe ta vendos si amanet të këtij prag-Ramazani në duart tuaja, për të përcjellë një mesazh. Sot, shoqëria e jonë shqiptare ka probleme të shumta me varfërinë, mjerimin, skamjen, papunësinë, shëndetësinë, spitalet, por jo vetëm.
Gjithandej ka njerëz të përvuajtur, të sëmurë pa ilaçe, të rinj pa shpresë, të shkolluar pa të ardhme, pensionistë në agoninë e ditëve pa përkrahje, dhimbje e vuajtje pa fund, që presin dorën tënde të bamirësisë.
Ne jemi muslimanë, besojmë në Një Zot të vërtetë e të Plotfuqishëm, besojmë në jetën e përtejme, në llogaridhënien, në shpërblimin dhe ndëshkimin e merituar.
Ramazani po vjen, ejani ta presim me vullnetin për të bërë mirë, si të dashurit e Tij, të urdhëruar për të bërë mirë!
Prite Ramazanin me një bamirësi të sinqertë, fito kënaqësinë e Zotit tënd..!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 2 qershor 2016