SI ndjehej..? – SI mund të ndjehemi..?

Sot, në këtë ditë të begatë të xhumasë, dua të ndaj me ju një përmbledhje nga arabishtja, autorin e të cilës nuk e mësova ndonjëherë, teksa e lexova dhe e rilexova me shumë ëndje materialin e tij vijues, (për të cilin shpresoj se do ta shpërblejë All-llahu me të mira)…

Kjo përmbledhje bazohet vetëm në pyetje. Nga ana im, do të dëshiroja shumë që secili lexues të përfshihej në përshpirtjen e këtyre pyetjeve shumë të dashura për zemrat e prekura nga malli i salavatit…

SI ndjehej Muadh ibn Xhebeli, kur Resulull-llahu (a.s) i thoshte: “O Muadh… Pasha All-llahun unë të dua ty”?

SI ndjehej Abdull-llah ibn Abbasi, kur Resulull-llahu (a.s) e përqafonte dhe lutej për të: “All-llahumme mësoja atij Librin”?

SI ndjehej Ubej ibn Ka’bi, kur Resulull-llahu (a.s) i thoshte: [Më ka urdhëruar All-llahu ta lexoj ty suren “El-Bejjine”] dhe, Ubeji, i emocionuar e pyeste: “All-llahu më ka përmendur tek ti”?

SI ndjehej Ali ibn Ebi Talib, kur mësoi se Resulull-llahu (a.s) kishte thënë: “Do ia jap nesër flamurin një BURRI, që e do All-llahun dhe të dërguarin e Tij dhe e do All-llahu dhe i dërguari i Tij”, teksa ishte ai i nënkuptuari?

SI ndjehej Sead ibn Ebi Vekkasi, kur Resulull-llahu (a.s) i drejtohej me këto fjalë: “Gjuaj, o Sead, u bëftë fli për ty babai dhe nëna ime”?

SI ndjehej Osman ibn Affani, kur Resulull-llahu (a.s) i thoshte, ditën kur ai mbështeti financiarisht ushtrinë e Tebukut: “Se dëmton më gjynah, pas kësaj dite, Osmanin”?

SI ndjehej Ebu Musa El-Esh’ari, kur Resulull-llahu (a.s) i thoshte: “Sikur të më shihje dje, teksa dëgjoja këndimin tënd (të Kur’anit)”?

SI ndjehej Es-Saib ibn Jezid, teksa Resulull-llahu (a.s) ia fërkonte kokën dhe, në pleqërinë e tij, krejt koka i ishte zbardhur, përveç pjesës së prekur nga i Dërguari?

SI ndjeheshin ensarët, kur Resulull-llahu (a.s) thoshte: “Sikur njerëzit të rrugëtonin në një luginë dhe ensarët në një shteg, do ndiqja shtegun e ensarëve”?

SI ndjeheshin ensarët, kur Resulull-llahu (a.s) thoshte: “Shenjë e besimit është dashnia e ensarëve dhe shenjë e hipokrizisë, urrejtja e tyre”?

SI ndjehej Ebu Bekri, kur Resull-llahu (a.s) thoshte: “Sikur të zija një mik, Ebu Bekri do të ishte miku im”?

SI ndjehej nëna e jonë Aishe, kur Resulull-llahu (a.s) e përmendte pa hezitim emrin e saj, teksa pyetej: “Kush është më i dashuri i njerëzve për ty”?

SI ndjehej Bilal ibn Rebahu, kur Resulull-llahu (a.s) e pyeste: “O Bilal, më trego për punën më të mirë që ke vepruar në Islam, sepse kam dëgjuar trokitjen e shapkave të tua para duarve të mia në xhennet”?

SI ndjehej Omer ibnul-Khattabi, kur një ditë mori leje të hynte tek Resulull-llahu (a.s) dhe ai i tha lajmëtarit: “Lejoje të hyjë dhe përgëzoje me xhennet”?

SI ndjeheshin krejt sahabët, teksa e shihnim Resulull-llahun (a.s), ditë-natë?

Dhe, më e bukura e krejt sa më lart, SI mund të ndjehemi ne, nëse Resulull-llahu (a.s) na thotë, kur ta takojmë: Ju jeni vëllezërit e mi, që kam qarë nga malli për takimin me ju… Ju jeni vëllezërit e mi, që më besuat pa më parë…?

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 3 qershor 2016