Bëje nijet të bësh një bamirësi në këtë Muaj..!
Njëri prej miqve të mi damasken, kishte publikuar një ngjarje reale nga kujtimet e botuara të Hoxhës së dashur, Ali Tantavi (rahmet pastë).
Një ditë Bajrami, Hoxha kishte blerë një grusht me çokollata për një vajzë të vogël të varfër, që vështronte bashkëmoshatarët e saj, teksa blinin çokollata dhe i hanin me gëzim.
Për këtë ndodhi, Hoxha shkroi:
“Nuk humba më shumë se çmimin e një shëtitjeje me taksi, që kisha planifikuar më parë. Por, fitova kënaqësi, aq sa nuk mund të shijoj në njëqind shëtitje!
Ndjeva, se ngushtimi që pata në zemër u largua, sikurse m’u hoq si me dorë brenga që kisha në vetvete… Perdja e zezë e syve të mi u hap, saqë pashë bukuritë e universit, bardhësinë e ditës, shijen e Bajramit!
Lexues të dashur, lumturia nuk është kur ke pasuri, kështjella, shërbyes e pozitë, por lumturia e vetë zemrës! Dhe, rruga më e afërt drejt lumturisë së zemrës, është të mbushësh zemrat e njerëzve me lumturi! Dhe, kënaqësia më e madhe, është ajo e bamirësisë!” – (“Edh-Dhikrajat”, 3/127-128).
Pata dëshirë ta ndaj me ju këtë mesazh, tashmë që edhe Muaji i bamirësisë po na vjen, duke sjellë me vete mundësitë e panumërta, që na ftojnë të japim për hir të Atij, në dorën e të Cilit është i gjithë rizku…
Ramazani, muaji i bereqetit, edhe pak mbërrin në dyert e kësaj bote. Bëje nijet të bësh një bamirësi në këtë Muaj, sado e vogël qoftë ajo; nuk do të zhgënjehesh nga shpërblimi i All-llahut..!
Përktheu nga arabishtja, përshtati në shqip
dhe pajisi me disa shënime anësore:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 31 maj 2016