“Këtë forcë nuk e zgjon gjë tjetër, pos besimit!”

Po lexoj librin me kujtime të dijetarit të shquar, Shejkh Ali Tantavi, titulluar: “Nurun ve hidaje”, (Dritë dhe udhëzim), botimi i dytë, Xhidde, 2009.

Në shkrimin me titull: “Besimi sjell triumfin”, autori kujton një ngjarje nga fëmijëria e tij, që kam dëshirë ta ndaj me ju. Më duket se shkon shumë mirë me realitetet meskine, me të cilat përballen ditë pas dite muslimanët në vendin tonë, përballë misionit dashakeq të dobësimit dhe eliminimit tonë dhe të fesë së baballarëve tanë ndër shekuj…

Ja si e tregon Hoxha i urtë ndodhinë e fëmijërisë: “Kur ndodhi beteja e Mejselunit, më 14 qershor 1920 dhe francezët hynë triumfues në Damask, dëshmova një ndodhi që është gdhendur në kujtesën time…

Po shkoja në medrese. Asokohe ishim në fillimet e fazës fillore. Në rrugë, sytë më zunë tre ushtarë francezë të armatosur, që po ndiqnin nga pas një grua të mbuluar. Donin të abuzonin me të, teksa zgjatnin duart drejt saj për ta prekur. E frikësuar, ajo thërriste me të madhe për ndihmë, ndërsa ata qeshnin me të madhe. Njerëzit përreth ishin të frikësuar prej tyre, ndonëse sa nuk po plasnin nga dhembja…

Papritur, një shitës ushqimoreje, i moshuar, bërtet me të madhe, nga thellësia e shpirtit të tij: “Po çfarë keni kështu? A nuk ka më fé?! Ngrihuni drejt tyre!” Dhe, i revoltuar bën ca hapa duke hyrë në mes tyre, pa mbartur asnjë armë në dorë. Entuziazmi u ndez dhe u përhap me të shpejtë. Njerëzit u mblodhën vetëtimthi…

Unë isha fëmijë, por kujtoj që hodha çantën mënjanë dhe u vërsula me njerëzit drejt ushtarëve francezë. Askush prej masës nuk mbante as armë, as ndonjë shufër të hekurt, ndërsa ushtarët mbanin armë të mbushura me fishekë. Megjithatë, francezët u mundën dhenranë përtokë, teksa njerëzit i godisnin me shkelma e grushte. Dikur, u larguan me rroba të shqyera e ndonjë gjymtyrë të shembur…

Kjo është forca e fshehur në burimin e krenarisë, me të cilën, All-llahu ka përshkruar besimtarët! Ajo gjendet brenda nesh, nuk është shuar, megjithë dobësinë, përçarjen e ndarjen tonë..! Ajo ka nevojë për dikë, ta zgjojë! Dhe, këtë forcë nuk e zgjon gjë tjetër, pos besimit!”

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati shqip,
me disa shënime anësore:

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 11 qershor 2016