Dreka e Haxhaxhit dhe beduini agjërues…

Sonte, një mik imi damasken kishte publikuar një rrëfenjë, që e gjeta të përshtatshme ta ndaj me ju, aq më tepër që ne vazhdojmë të përjetojmë bekime pafund në këto ditë të begata të Muajit Ramazan.

Një ditë, Haxhaxhi doli për një ekspeditë dhe e zuri dreka në sahara. U ul të pushonte, ndërkohë i sollën drekën. Ai kërkoi nga shpura e tij që t’i kërkonin një njeri, të drekonte me të. Pas shumë kërkimesh, i gjetën një beduin, të cilin e sollën në tryezën e Haxhaxhit.

Ndërmjet të dyve u zhvillua dialogu i mëposhtëm:

Haxhaxhi: Eja, o beduin, ulu të hamë sëbashku.
Beduini: Para teje më ka ftuar Ai që është më bujar se ti dhe i jam përgjigjur!
Haxhaxhi: E kush është ai?
Beduini: All-llahu i Madhëruar! Më ka ftuar në agjërim dhe i jam përgjigjur! (Bëhet fjalë për agjërim jashtë muajit Ramazan)
Haxhaxhi: Agjëron në një ditë kaq të nxehtë?
Beduini: Agjërova për një ditë akoma më të nxehtë se kjo e sotmja!
Haxhaxhi: Ha sot dhe agjëro nesër!
Beduini: A ma garanton zotëria jote se do jetoj deri nesër?
Haxhaxhi: Jo, nuk mund ta garantoj, atë e di vetëm All-llahu!
Beduini: Atëherë, si më kërkon të bëj diçka, kur s’e kthen dot exhelin tim?
Haxhaxhi: Dreka ime ka ushqim të shijshëm!
Beduini: Pasha All-llahun, nuk e ka marrë shijen e mirë, as nga bukëpjekësi, as nga kuzhinieri yt, por nga shëndeti që të është dhënë!
Haxhaxhi: Pasha All-llahun nuk kam parë si ky njeri! All-llahu ta shpërbleftë, o beduin!

Dhe urdhëroi që të shpërblehej…

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari

Shkodër, më 12 qershor 2016