“Unë jam afër…”
Duaja, është padyshim thelbi i adhurimit, esenca e krejt përpjekjeve të njeriut drejt Zotit të tij.
Ka një përshpirtje të veçantë në marrëdhënien tonë me lutjen, privatësinë e saj, qetësinë që na mbulon, rehatinë e zemrës, bindjen se asgjë nuk është e humbur me duanë, nëpërmjet së cilës lidhemi pa ndërmjetësi me Zotin e gjithësisë, që pikësëpari na e ka hapur derën, duke na dëshmuar qartë e në formë të prerë: “Lutmuni Mua, ju përgjigjem!”.
Nga ana tjetër, është e mrekullueshme fjala e Zotit të gjithësisë, kur thotë: “Unë jam afër…”, teksa e mëson të dërguarin e Tij që të udhëzojë robët e Tij, se rruga drejt Allahut të Madhëruar, është rrugë pa pengesa, pa ndalesa, pa praninë e askujt: “i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet!”.
Lutja e lutësit, kur lutet, para duarve të Zotit Një, që ka në dorë gjithësinë dhe, që mbi çdo gjë na drejtohet me dashurinë e Tij për ne: “Unë jam afër…”, si për të na mësuar se në jetë, nuk ka vështirësi të pakalueshme, nëse kuptojmë si duhet vlerën dhe madhështinë e këtij komunikimi hyjnor!
“E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet…” – (Kurani, El-Bekare: 186)
Shkodër, 25 prill 2021