Meditime (22)

Nevoja për një edukator në besim e fé!

Nevoja për një edukator në besim e fé!

Resulullahu (a.s) i mësoi të mirit Selman (r.a) një lutje, për të cilën i tha: “Resulullahu don të të mësojë ca fjalë, me të cilat t’i drejtohesh Mëshiruesit, të afrohesh pranë Tij nëpërmjet tyre, të lutesh me to natën dhe ditën. Thuaj: Allahume të lutem të më japësh shëndet me besim, besim me mirësjellje, sukses që e pason triumfi, mëshirë nga ana Jote dhe shpëtim, falje nga ana e Jote dhe pëlqim!”

Dua të ndalem tek pika e dytë e kësaj lutjeje të mrekullueshme me pesë ndalesa: besimi me mirësjellje!

Kjo është një çështje shumë e rëndësishme në jetën e besimtarit. Normale që t’i je besimtar, por ku e ke mirësjelljen, ku e ke edukatën dhe etikën e komunikimit me tjetrin? A di ti të dialogosh? A i njeh normat e komunikimit në familje, në rrugë, në xhami e kudo që të jesh?

A di të flasësh me prindin tënd? Nuk e ngre zërin besimtari para prindit të tij, nuk e lëndon atë me fjalë! Nuk krijon situata grindjeje, zënka e fjalë të pakuptimta me pjesëtarët e familjes, sidomos në prani të prindit!

Nëse në rrugë mundohet të jetë i komunikueshëm e miqësor, pse e humbet etikën dhe mirësjelljen në familje?! Më ankohet dikush për fëmijën e tij besimtar dhe kjo më habit pa masë, sepse gjëja e fundit që mund të mendoj është të dëgjoj ankesën e dikujt ndaj dikujt e, këta të jenë prindi me fëmijën e tij besimtar që shkon në xhami!?

Nuk ka kuptim të ankohet një prind për fëmijën e tij që shkon në xhami, se ai është i pasjellshëm në shtëpi, bërtet, revoltohet!? A revoltohet në xhami me vëllezërit e tij? Atëherë si ta konsiderojë shtëpinë e familjes më pak se xhaminë, ku shkon për kryerjen e disa riteve ditore? Sepse, shtëpia, ku është prindi dhe familja, është më e shenjtë se xhamia! Shtëpia me prindin brenda, është vend i bekuar!

Besimtari, muslimani, nuk është njeri me dy a më shumë standarde në jetë! Në familje, në rrugë, tek të afërmit, në treg, në shkollë, kudo qoftë, atë e karakterizon mirësjellja! Ai është i edukuar dhe cilësohet me etikën e tij, që është për t’u marrë shembull!

Prandaj, besim dhe arrogancë, besim dhe kokëfortësi, besim dhe këmbëngulje në të kotë, nuk shkojnë!

Personi që e ka këtë gjendje, duhet të kërkojë falje para duarve të Krijuesit dhe të përpiqet fort për të përmirësuar gjendjen e tij! Mbi të gjitha, ai duhet të kërkojë për një edukator dhe të rendë pas tij për ta edukuar nefsin e tij!

Natyrshëm që ke hyrë në fé dhe je besimtar e musliman, mirëpo për ta përsosur besimin dhe fetarizmin e shëndoshë, ti ke nevojë për një edukator në jetën tënde të re! Ke nevojë për dikë që të merr për dore, si prindi fëmijën, për të mësuar se si ta jetosh Islamin!

Mos të mendojë dikush se i ka lexuar dy fjalë, a ka dëgjuar tri të tjera, apo ka hyrë në xhami, se ka arritur majat e botës; jo, jo! Ai sapo ka hedhur hapat e parë në një rrugëtim shumë të gjatë për të mbërritur tek pëlqimi i Allahut të Madhëruar në jetë.

Prandaj, duhet patjetër që rrugëtimin tonë në besim e fé, ta shoqërojmë me një edukator! Sepse rrugëtimi në besim e fé, pa praninë e edukatorit është humbje kohe dhe shfaqje e një fetarizmi formal!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 10 maj 2021