Meditime (21)

Çfarë ke bërë sot, për Zotin tënd?

Çfarë ke bërë sot, për Zotin tënd?

Besimtari në jetën e tij bie dhe sërish ngrihet, rrëzohet dhe prap çohet në këmbë! Është mësuar dhe edukuar që të ketë istigfarin sistem jete!

Ai e di shumë mirë se teksa i kërkon falje Zotit të tij në vazhdimësi, ai po dëshmon se është rrugëtues drejt ndryshimit në jetë, për të ecur përpara, për të shfrytëzuar kohën, për të kapur mundësitë, për të mësuar gjuhë të huaja, për të qenë i aftë në dije, për t’u thelluar në dije, për të qenë korrekt me punën e tij, për të qenë prodhimtar!

Ai është i ftuar për t’u bërë dikush në jetë, jo për veten e tij, porse për të mirën e besimit të tij, për atë të shembullit të tij, për të mirën e asaj që duhet të dëshmohet muslimani, si vlerë në mesin e njerëzve, si pasues i vërtetë i Hz. Muhamedit (a.s), të cilin, Allahu i Madhëruar na udhëzoi dhe na mësoi që ta marrin so shembulltyrë në jetë!

Që do të thotë se ne si muslimanë kemi shembull jete Pejgamberin tonë (a.s) dhe jemi shoqëri shembulltyrash! Individi i jonë nuk është dosido, poashtu shoqëria e jonë e besimit!

Muslimani është individ i vlefshëm në shoqëri, i dobishëm për të tjerët, ka një pikë referimi në jetë, ka një busull udhëzimi, që është Pejgamberi (a.s), pas dritës së të cilit shkon!

I kërkon falje Allahut në mënyrë të vazhdueshme, është adhurues në përsosmëri, e ka në kontroll jetën e tij, ai e llogarit punën e tij dhe e peshon fjalën dhe veprën para se të llogaritet e të peshohet në ditën e gjykimit!

Ai vazhdimisht e pyet veten: “Çfarë ke bërë sot, për Zotin tënd”? Subhanallah, kjo është një shprehje e mrekullueshme dhe shumë tërheqëse, që na shërben për të mirën e cilësisë së aktivitetit dhe përditshmërisë sonë në raport me atë çfarë bëjmë me plot dashuri e përkushtim ditë pas dite!

Pra, jemi të ftuar për ta jetuar shembullin dhe për të mos pasur ndrojtje muslimani i jonë, sado i ri që të jetë, për të dëshmuar ndershmërinë, fjalën e mirë, distancimin nga gënjeshtra, largimin nga haramet, në drejtim të fitimit të pëlqimit të Allahut në jetë!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 5 maj 2021