Rreth barazisë në Islam…

Një bashkëbisedim i hapur në thelb të temës së barazisë në Islam, pasditen e së martës, më 4 maj 2021, me të nderuarin Armand Bora, në RTV ORA, në ciklin e Muajit të begatë të Ramazanit: “Kjo është ora”.

Ajetet kuranore, hadithet dhe praktika e sahabëve, mbeten pika referimi dhe reflektimi më i mirë i faktit se Islami erdhi edhe për të vendosur bazat e barazisë në mesin e njerëzve, shoqëruar me nxitjen e garimit për të mirë e ndërtim, mbështetur tek aftësitë, meritat dhe përkushtimi në jetë, jo tek pozitat shoqërore, pasuria a trashëgimia e emrit të familjes.

Fakti që Zoti i botëve na drejtohet në shumë vende në Kuran: “O ju njerëz..!”, na dëshmon se të gjithë jemi të barabartë përpara Tij, ndërsa me fjalinë e shenjtë: “Më fisniku prej jush tek Allahu është më i përkushtuari ndër ju!”, na mëson se rruga drejt bekimeve dhe pranimit tek Madhnia e Tij kalon nëpërmjet korrektësisë sonë në jetë me atë që Ai na ka udhëzuar, jo sukseseve të përkohshme a arritjeve tona materiale larg udhëzimit të Tij!

Fjalët me të cilat Resulullahu (a.s) iu drejtua të bijës së shtrenjtë Fatime dhe axhës së dashur Abasit, kur i tha secilit prej tyre që ta kenë frikë Allahun dhe të mos vijnë në ditën e gjykimit me emrin e Resulullahut, ndërkohë që njerëzit do të vijnë me veprat e tyre, është dëshmia më e madhe e barazisë dhe objektivitetit në trajtimin e njerëzve në peshoren islame.

Ndërkohë, shembulli i Hz. Omerit (r.a), që mori hakun e të krishterit kopt nga i biri i guvernatorit të Misirit, por edhe nga vetë guvernatori, sahabiu Amr ibnul-As (r.a), është dëshmi e pashembullt historike, jo vetmitare, e origjinalitetit të kësaj feje të pastër islame dhe mësimeve të saj universale në këtë kontekst!

Referuar kodit civil dhe atij penal, sipas shkollës sonë hanefite, pozitat e barabarta përballë ligjit, të muslimanëve dhe dhimitëve (të krishterë e hebrenj) në shoqërinë islame, mbeten një dëshmi universale e madhështisë së kësaj feje, në të cilën çdokujt i garantohet jeta, feja, mendimi, nderi dhe pasuria!

Pata kënaqësi të madhe të dëgjoj, të ftuar në studio në lidhje me skype, mikun dhe vëllain e shtrenjtë, Basri Kurtis, që e zbukuroi këtë bashkëbisedim me ndërhyrjen e tij nga Kopenhaga.

Marrëdhëniet e shtetit danez me liritë fetare, historiku i organizimit të muslimanëve shqiptarë atje, aktiviteti në vazhdimësi, përkujdesja që mësimet dhe takimet të jenë në gjuhën tonë shqipe, si dhe shembulli i mrekullueshëm i bashkëpunimit me bashkësitë dhe komunitetet e tjera fetare, në shërbim të paqes sociale dhe vlerave qytetëruese, ishin disa prej rrezatimeve në komunikimin e ëmbël të imamit tonë të dashur në Danimarkë.

Kufiri i një ore, ishte i pamjaftueshëm për të shpjeguar logjikisht dhe fetarisht, mbi të gjitha mjaftueshëm se, përpjekja për të barazuar të ndryshmit në origjinën e krijimit, është prishje e ekuilibrit në natyrë, si dhe dëshmi e moskuptimit të faktit se Zoti na krijoi nga një mashkull dhe një femër, të cilët i veçoi me cilësi dhe tipare të ndryshme, përtej kufirit të barazisë, por edhe se, nuk është respektuar e vlerësuar pozita e femrës në të gjitha fazat e jetës së saj, si në Islam.

Është i jashtëzakonshëm qëndrimi i Resulullahut (a.s) me mbesën e vogël në xhami, shpejtimi i kryerjes së namazit për të mos trazuar nënën e foshnjes që qante, si dhe marrëdhënia e tij bashkëshortore, që duhen lexuar në një këndvështrim, që e tejkalon atë të barazisë së pakuptimtë gjinore.

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 5 maj 2021