Meditime (20)

Nata e pozitës së lartë...

Nata e pozitës së lartë…

Nata e Kadrit, ndryshe: Nata e pozitës së lartë, është ajo në të cilën ka zbritur Libri me pozitën më të lartë, tek pejgamberi me pozitën më të lartë, në ymetin me pozitën më të lartë në mesin e krejt popujve, siç lexojmë në tefsirin e Imam Kurtubiut.

Pra, Nata e Kadrit është personifikim i ymetit islam, personifikim i dërgesës së Hz. Muhamedit (a.s) dhe personifikim i asaj mirësie dhe drite të pashuar që është vulosur me mbrojtjen hyjnore deri në ditën e fundit, që është Kurani Famëlartë!

Prandaj të përpiqemi që ta mbërrijmë Natën e Kadrit, duke mbërritur frymën e mirë dhe shpirtin e madh të kësaj Nate të madhnueshme, për ta kthyer më pas çdo ditë e çdo natë të jetës sonë në Natë Kadri. Që do të thotë se përkushtimi i muslimanit për të kërkuar mëshirën e Allahut të Madhëruar dhe për të kërkuar dashurinë e Tij, është në çdo ditë të vitit!

Ritmi i jonë në jetë është ritmi i Natës së Kadrit! Ritmi i jonë në jetë është ritmi i njerëzve me pozita të larta!

Ajo që ne kërkojmë është të mbërrijmë tek dashuria e Allahut (xh.sh) nëpërmjet adhurimit e përkushtimit tonë. Sepse, kur të mbërrish tek kjo gradë dhe kur të arrish që të shijojë namazi jot, adhurimi jot, dhikri jot e Kurani jot, ti në fakt e ke mbërritur ‘Natën e Kadrit’ dhe krejt të mirat e kësaj bote.

Prandaj, le të përpiqemi në këto 10 ditë të mbetura të këtij Muaji, të shfrytëzojmë maksimalisht çdo detaj prej cilësive, veçorive dhe karakteristikave të muslimanit; në moralin e tij, në sjelljen e tij, në komunikimin e tij, në bashkëbisedimin e tij, në dialogun e tij, në shitblerjen e tij, në mënyrën se si ecë në rrugë, në mënyrën se si i trajton njerëzit, në marrëdhënien e tij me natyrën, me kafshët e me çdo gjë!

Pra, le ta dëshmojmë veten në kulmin e përulësisë, adhurimit dhe përkushtimit ndaj Zotit të gjithësisë!

Dhe, mbi të gjitha, përtej çdo detaji tjetër që lidhet me këtë Natë e këtë periudhë të begatë, është të ruajmë harmoninë e vëllazërinë në mes nesh, duke nisur nga familja: daahamirësia, mirëkuptimi, fjala e ëmbël, durimi, përkushtimi, jo të na mbyllen zemrat, jo të na ngushtohet shpirti, sidomos me vëllanë, me motrën, me prindin, bashkëshortët me njëri-tjetrin!

Pastaj në rrethet tona familjare e farefisnore, të falim, të tolerojmë, të kapërdijmë, për të mirën e madhe!

Pastaj në rrethet tona të ngushta, në xhami, në mexhlise, në shoqëritë e ngushta; ta ruajmë harmoninë dhe vëllazërinë! Mos të lejojmë që për asnjë arsye, për asnjë thënie a fetva në botë; për asnjë imam, myfti a kushdo qoftë në botë, të preket harmonia e vëllazëria e jonë, qoftë edhe sa një fije floku!

Nëse ti mendon dhe më sheh se jam larg nivelit tënd, mos më përbuz dhe mos më urre, por lutu për mua dhe ruaje besën e vëllazërisë të pacënuar!

Nata e Kadrit është shpërblim, me të cilin Allahu i Madhëruar ka veçuar këtë Muaj, si dhuratë hyjnore për të përkushtuarit e Tij, të cilët i shpërblen nga mëshira e mirësitë e Tij ndaj tyre!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 3 maj 2021