U luta dhe Hoxha tha: “Amin!”…

25 mars 2021. Në Tetovë, akoma kishte dëborë. Dimri vazhdonte të mbulonte tokën me pelerinën e bardhë ndonëse rrezet e diellit shkëlqenin, duke ia zbukuruar panoramën stinës së ftohtë.

Atë ditë, përtej takimeve të përzemërta me vëllezër e miq të mirë, prej atyre me të cilët më lidhin studimet, drejtimi, Hoxha, shkolla hanefite, tradita shekullore e Thirrjes Islame në trojet tona, respekti e mirënjohja e fshehur në zemër; mendja më rrinte tek një dëshirë e kahershme për të takuar nga afër njërin prej burrave të urtë e shërbyesve të zellshëm e të heshtur të kësaj feje të madhnueshme islame…

I dua të mirët, pas dritës së tyre shkoj! Kjo thirrje më ka shoqëruar përherë në jetë. Kudo ku kam shkuar e çdo vend që kam vizituar, kam pyetyr për burrat e heshtur, burrat e bardhë, eulijatë e dashur, që ishin dhe mbetën bereqeti i çdo kohe e çdo vendi..!

Para tyre, ndjehesh si në prehrin e prindit, si në qoshkun e mexhliseve të larta të dijes e urtisë, si në ndenjat plot dashni e rahmet të atyre, që me gjendjen e tyre shpirtërore, sinqeritetin e përkushtimin e tyre të rrethojnë e, pa pritur e menduar të dhurojnë dritë nga nuri, me të cilin janë begatuar, si një kader i shenjtë, me të cilin Zoti i gjithësisë don të të dëshmojë dashninë e Tij për ty!

Si jo, kur Resulullahu (a.s) lutej: “Allahume unë të lutem të më dhurosh dashninë Tënde, dashninë e atyre që të duan dhe dashninë e atyre, që më vlen dashnia e tyre tek ti!”.

Kështu e ndjeva veten të bekuar e të rrethuar me mirësi e paqe shpirtërore, atë pasdite të begatë të asaj vizite të paharruar në Tetovë, para duarve të Mualimit e Muhafizit të madh të trojeve tona, të dashurit e të shtrenjtit Mulla Mahmud ef. Asllani, që sapo mësova se, nga sot, do të jetë pjesë e ndritur e historisë së lavdishme të Thirrjes Islame në trojet tona!

Nga sot, do të jetë një emër i nderuar në memorien e secilit prej nesh, do ta shoqërojmë emrin e tij me nderim e lutje: “Rahmet pastë shpirti i tij!”, do ta kujtojmë e do ta mbajnë mend gjatë talebetë e tij, imamët e studiuesit islamë të Tetovës, por jo vetëm!

Ajo ditë marsi në Tetovë, më zbuloi mbi të gjitha fuqinë që ka besimi dhe besa e lidhur me Zotin, për t’i shërbyer në të mirë e në të keq, për të mos u kthyer kurrë pas, për të vazhduar deri në frymën e fundit.

Atë pasdite, Mulla Mahmud efendiu kishte një brengë, për të cilën nuk hezitoi të më pyeste: “Kur do të mbarojë kjo tollovi? A din gja, se kur do hapen kurset e Kuranit?”… Ajo ishte brenga e tij, dëshira për të parë fëmijët e talebetë para duarve, duke lexuar Kuran, duke mësuar e përsosur mësimin përmendësh të Fjalës së Allahut!

Bri meje, i biri, Hoxha Abdurrahman, më thoshte me fytyrë të qeshur, se që kur ka rënë pandemia dhe janë ndaluar kurset fetare, edhe kur shtrihet për të fjetur, Baba, edhe në gjumë dëgjohet duke mësuar nxënësit e tij..!

Subhanallah, ai kishte arritur në gradën e fenasë, shkrirjes, me Kuranin dhe mësimin e tij, si për të na dëshmuar se: “Njerëzit e Kuranit, janë njerëzit më të afërt të Allahut dhe më të dalluarit e Tij”, siç urdhëron Resulullahu (a.s)…

Atë pasdite ne folëm e folëm, si të njiheshim që në ezel e, si të ishim pjesë e një bese e një drejtimi, siç në të vërtetë ishim e jemi!

Atë pasdite, i kërkova Mulla Mahmud efendisë të lutej për mua. Ai buzëqeshi e insistoi që mysafiri ta bënte duanë, ndonëse mysafiri, para duarve të tij po përjetonte një kënaqësi të munguar prej kohësh dhe mezi priste që Hoxha plak të lutej për të…

U luta dhe Hoxha tha: “Amin!”…

Allahu të mëshiroftë e në xhenetet e larta të pranoftë, Mulla Mahmud Efendi Asllani!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 21 qershor 2021