Meditime (57)

Mexhliset e dijes, trashëgimia e Resulullahut (a.s)!

Mexhliset e dijes, trashëgimia e Resulullahut (a.s)!

Mexhliset e dijes, trashëgimia e Resulullahut (a.s)!

Në dersin e kësaj mbrëmje, pas namazit të akshamit në xhaminë e Tophanës, më erdhi ndër mend koha e studimeve, kur, bashkë me shokë të shkollës shkonim sa në një xhami në tjetrën për të ndjekur mexhliset e ulemave të Shami Sherifit.

Po të më kërkohej, do të rendisja plot emra dijetarësh e studiuesish të afirmuar, para të cilëve uleshim si nxënës të përkushtuar para duarve të edukatorëve e kollosëve të dijes e mendimit islam, por nuk është këtu qëllimi i këtyre rreshtave.

Subhanallah, akoma sot, teksa sjell ndër mend copëza kujtimesh nga ajo kohë e begatë dhe e papërsëritshme, bindem përherë e më shumë për madhështinë e vetë mexhliseve të dijes, si mjet garant i zhvillimit të mendimit dhe kulturës islame ndër muslimanë!

Shekull pas shekulli, dijetarët islamë e trashëguan dijen dhe urtësinë, duke e bërë atë të dashur për njerëzit, duke i ftuar drejt vlerave, duke i marrë për dore drejt lartësive, duke i falë shpresë e optimizëm e, duke ngacmuar përherë e më shumë zemrën e mendjen e shoqërisë drejt bardhësive.

M’u kujtua Hz. Ebu Hurejra, sahabiu i dashur, që i ftoi njerëzit e tregut duke i thënë se në xhami po shpërndahet trashëgimia e Resulullahut (a.s) dhe, kur erdhën me vrap dhe panë mexhliset e dijes, të habitur e pyetën se ku është ajo trashëgimi, duke aluduar dinarë e dirhemë, porse meseleja ishte më e madhe se ari dhe argjendi..!

Sonte mësuam se mexhliset e dijes janë të rrethuar nga melekët, që shtrijnë krahët e tyre për kërkuesin e dijes, në shenjë pëlqimi për veprën e tij, siç transmetohet në shumë koleksione të haditheve të Hz. Muhamedit (paqja qoftë mbi të).

Kur e mendon, a ka krahasim e nxitje më të mirë e më madhështore sesa të të thuhet se, teksa ti nisesh drejt një mexhlisi a në kërkim të dijes, ti në fakt po nderohesh nga Zoti i gjithësisë, duke ecur e qëndruar mbi krahët e melekëve!

Prandaj, kërkojini mexhliset e dijes dhe kapeni fillin e trashëgimisë së Resulullahut (a.s), kudo që të mundeni e sado që të keni mundësi!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 2 shtator 2021