Mos e tradhtoni Allahun dhe të dërguarin e Tij!
Një herë, dikush më pyeti: Ju thoni se Islami është fé e paqes. Por, si e justifikoni praninë e ajeteve që flasin për luftën dhe nxisin drejt saj? Po betejat e Profetit?
Unë buzëqesha dhe e para gjë që më erdhi në mendje ishte Pakti i Hudejbijes, që është një dëshmi e jashtëzakonshme e urtësisë së Hz. Muhamedit (paqja qoftë mbi të) dhe një përpjekje e suksesshme e tij për të evituar luftën dhe derdhjen e gjakut!
Imagjinoni, atë ditë ai pranoi të nënshkruante, thjeshtë si: “Muhamedi i biri i Abdullahut”, pasi pala idhujtare nuk e pranonin dëshminë: “I dërguar i Allahut”, bri emrit të tij!
Përndryshe, Islami është fé e krenarisë dhe e dinjitetit, që mbrohen poashtu me krenari e dinjitet! Që nuk bën të përthyhen, para dobësisë dhe paaftësisë!
I dobëti dhe i paafti nuk kanë të drejtë të flasin as për paqen, as për të kundërtën e saj, ndërkohë që Islami ka ardhur për të na dhuruar JETËN me dinjitet e krenari, duke nxitur drejt formimit dhe edukimit, posedimit të mjeteve të krenarisë e vetëmjaftueshmërisë në çdo fushë!
I afti, krenar e plot dinjitet, edhe në luftë është i mëshirshëm, i drejtë, i vëmendshëm e i kujdesshëm ndaj hakut! Ai nuk bën padrejtësi dhe di të dallojë shumë mirë të lejuarën nga e ndaluara, përndryshe nuk do të shihnim Hz. Muhamedin (paqja qoftë mbi të), që robëve të luftës u vendoste kushte për lirimin; mësimin e dhjetë të rinjve muslimanë nga dija e aftësitë që kishte secili prej tyre!
Për këtë, Gustav le Bon thoshte: “Nuk ka njohur historia çlirimtarë më të mëshirshëm sesa arabët!”, dmth, muslimanët!
Sot, ne nuk kemi të drejtë morale të flasim për paqe a për luftë, sepse jemi shumë larg pozitës për të diskutuar për këto diskurse!
Sot, ne jemi në pozitat e atij që duhet të dëgjojë mirë e qartë thirrjen hyjnore: “O ju që besuat, mos e tradhtoni Allahun dhe të dërguarin, e ashtu të tradhtoni amanetet tuaja, derisa e dini sa e keqe është kjo!” – (El-Enfal: 27).
Nuk e di a jam i qartë?
Ai, hapi sytë dhe nuk e di as unë se çfarë lëvizjeje bëri me kokën e tij…
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 31 gusht 2021