Meditime (58)

Ne, toka dhe amaneti i gjyshërve..!

Ne, toka dhe amaneti i gjyshërve..!

Zgjohu herët, fal sabahun, nise ditën me dhikre e duá, dil e bëj një ecje në qetësinë që të fal momenti i prag-agimit të ri.

Lëri hapat të prekin tokën e pashkelur në çdo ditë të re, le të dëshmojë për dhikrin tënd, lutjet e fjalët e zemrës drejtuar Zotit tënd, teksa i drejtohesh shtëpisë së Tij!

Shoqërohu me rrezet e diellit dhe hap pas hapi do të ndjesh se, ecja e mëngjesit, përveçse të bën mirë për qarkullimin e gjakut, njëkohësisht të ndihmon të shohësh në sy fizionominë e qytetit, mendësinë mbizotëruese, kulturën urbane, botëkuptimet e njerëzve të përkthyera në veprat që formësojnë imazhin real të qytetit, dhe njëkohësisht të bëjnë të mendosh për pozitën tënde në tërë këtë hapësirë, ku padyshim ti ke një vend, që në ezel…

Pyete veten se çfarë mund të bësh për tokën tënde, për qytetin tënd, për hakun e amanetit të gjyshërve që tashmë janë bërë një me nëntokën e këtij vendi, një me mbitokën e një me qiellin e tij, si gjurmë identitare që të fton të ruash shenjtëritë..!

Zgjohu nga gjumrat e hutimit dhe mos prano të jesh askushi në tokën tënde, në qytetin tënd, në amanetin e gjyshërve!

Pyete veten se çfarë ke bërë deri më sot, për t’iu përgjigjur thirrjes së Pejgamberit tënd, i cili e la amanet, 15 shekuj më parë: “Ruajeni tokën, sepse ajo është Nana e juaj..!”.

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 4 shtator 2021