Kam dëshirë t’i rikthehem shkrimeve dhe udhëzimeve mbi vlerën dhe dobinë e dhikrit në jetën tonë. Ndoshta, distancimi i heshtur nga dhikri, duke u zënë me lloj-lloj punësh, bisedash, angazhimesh e veprimesh ditore, (shpesh, pa asnjë lloj dobie), pa kthyer kokën nga vlera reale e përmendjes sistematike të All-llahut (dhikri), ka bërë që natyrat dhe temperamentet tona të ashpërsohen, të acarohen, të vyshken e thahen, të mos rrezatojnë më paqe e dritë, optimizëm e largpamësi, urtësi e dashni në mes vete, për natyrën e krejt krijesat e Zotit Një..!
Natyrshëm, nuk mund të mos neglizhohet këtu as ndërhyrja qëllimkeqe e shumë misionarëve pa emër e pa fytyrë, pa gjurmë diturore e pa shenjë urtësie, në xhamitë e xhematet e para shqiptare, pas kataklizmës komuniste, që i prishën shqiptarëve traditat dhe synetet e trashëguara ndër shekuj, të cilëve u hoqën edhe ato pak gjurmë dashnie të mbetur nga dekadat e shkuara, në emër të “ruajtjes se teuhidit”, “rrezikut nga shirku”, “mbrojtjes nga sektet e devijuara” etj, nga propaganda e tyre sektare e përçarëse në mesin e muslimanëve.
(Por, kjo është temë e gjerë më vete) Është histori e gjatë. Ndoshta një ditë, do të ulem e ta vazhdoj këtë trajtesë, nga ajo pikë ku e la Hoxha im, H. Vehbi S. Gavoçi, që shumë ka shkruar e ka punuar për mbrojtjen e muslimanëve nga injoranca dhe tendencat e misionarëve të sektarizmave, si viruse infektuese të mendjeve e zemrave të ymmeti islam… (Ngjan si histori, që vazhdon të përsëritet edhe sot e kësaj dite, kur sektarizimi, partishmëria sakate dhe frymërat e përçarjes, vazhdojnë ta mbajnë peng ymmetin islam, të fjetur, larg jetës aktive, larg gjallërisë, përfshirjes në jetë, shfrytëzimit të resurseve shpirtërore, intelektuale, natyrore e kombëtare për të dëshmuar madhështinë e fesë në çdo sferë të jetës, pa përjashtim..!)
Në librin e tij: “El-Vabilus-sajjib”, Imam Ibn Kajjim El-Xheuzijje (691-751 h.) sqaron në detaje vlerën dhe madhështinë e dhikrit në jetën e muslimanëve, individ e shoqëri. Radhit vlera e dobi pafund… Derisa vjen tek vlera e 61-të e përmendjes së All-llahut.
Ndër të tjera thekson, se: “Dhikri i jep atij që e praktikon, forcë. Aq sa, me anë të dhikrit ai vepron atë, që pa dhikër nuk do mendonte ta bënte dot. Dhe, këtë e kam parë në forcën e Shejkhul-Islamit Ibn Tejmije; në veprat dhe fjalët e tij, në sakrificën dhe shkrimin e tij. Kam parë çudira! Ai shkruante ditën, prej veprave të tij, aq sa shkruan një njeri për një javë a më shumë! Edhe ushtarët kanë parë çudira në forcën e tij, në luftë! …” – (Ibn Kajjim El-Xheuzijje, “El-Vabilus-sajiib”, botimi i parë, Kajro, 1987, f. 106 e në vijim)
Unë besoj te rizgjimi, te rimëkëmbja, te parashikimet e urta të kolosëve të këtij ymmeti, se ky shekull, është shekulli i Islamit. Por, krahas kësaj, ne duhet të angazhohemi seriozisht e me shumë sinqeritet për të edukuar nefsin dhe për ta shtruar atë drejt DHIKRIT; sekretit hyjnor, që e bën gjithësecilin prej nesh të përjetojë e të dëshmojë, atë çfarë nuk mund të mendohet se mund të veprohet, pa këtë sekret të dhuruar nga Zoti i universit..!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 4 gusht 2016