
Dija pa edukatën, disiplinën, mëshirën dhe urtësinë, mund të kthehet fare thjeshtë në dëshmi arrogance, mendjemadhështie, cinizmi e prishjeje në shoqëritë njerëzore.
Realitetet e përditshme e vërtetojnë më së miri faktin, sesi keqpërdorimi i dijes, është kthyer në shkaktar të fatkeqësive të panumërta në rang individual, shoqëror e, duke u përhapur më pas në çdo sferë të jetës, përfshi edhe botën e fesë (jo vetë fenë, se ajo është e imunizuar ndaj djallëzive dhe kapriçove njerëzore)!
Në pjesën e tretë, (dhe të fundit për momentin), të prezantimit të hyrjes së ixhazetit të H. Muhamed Bekteshit, dua të ndalem tek vijimi i logjikës së Edukatorit të shquar shkodran, në raport me esencën e dijes së dobishme, drejt së cilës udhëzon talebetë e tij.
Mbi të gjitha, Hoxha synon edukatorin, murshidin, mësuesin. Me fjalë të tjera, ai nxit ruajtjen e tabanit dhe mbrojtjen e dijes me anë të një (a disa) garancie, që është Mësuesi i urtë, Murshidi largpamës, Edukatori i përkushtuar!
Ja si vijon të shprehet H. Muhamed Bekteshi: “Është pyetur Ibnul-Mubarek: “Kush quhen njerëz? Ka thënë: Dijetarët! Po mbretër? Ka thënë: Asketët. Po njerëz të ulët? Ka thënë: Ata që e hanë botën me fé!”, pra nuk ka konsideruar dikë tjetër pos dijetarit prej njerëzve, sepse veçoria më e madhe që e dallon njeriun nga bagëtitë, është dituria. Pra, njeriu nderohet me atë që është nderuar për hatrin e tij; dituria!
Me kaq po mjaftohemi në tregimin e lartësisë së vendit të dijes dhe madhështisë së saj në argumentet e transmetuara, të cilat janë akoma më shumë. Ai që ka dëshirë të thellohet, të lexojë tefsirin e ajetit: “E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat (e sendeve)…” – (Kur’ani, El-Bekare: 31), në të cilin Imami, (Er-Razi, autori i tefsirit të famshëm -M.S.-), thotë: “Dije se qënia e diturisë cilësi e plotësimit dhe e nderit, dhe qënia e injorancës cilësi mangësie, është një çështje esenciale fetare për dijetarët. Për këtë kur një të dituri i thuhet: “O injorant”, ai hidhërohet, edhe pse e di mirë gënjeshtrën e këtij pretendimi. Ndërsa po t’i thuhet injorantit: “O dijetar”, ai gëzohet, edhe pse e di mirë se nuk është ashtu. E gjitha kjo vërteton se dituria është e lartësuar në veten e saj dhe e dashur për veten e saj, ndërsa injoranca është e mangët në veten e saj. E nëse injoranca është nëna e çdo të keqeje, dituria është nëna e fisnikërive, e kush e arrin atë ka arritur çdo të arritshme”.
Për të arritur diturinë ka shumë shkaqe, ku më i rëndësishmi ndër ta është mendja e shëndoshë nga të metat. Dhe meqenëse mendja nuk shpëton lehtë nga rrjeta e iluzioneve (shpesh shohim sesi ato bëjnë që njeriu të gabojë), është e domosdoshme që dituritë fetare, njeriu t’i marrë mësues pas mësuesi, derisa të arrijë në bindje të plotë. Kjo bën që njeriu të marrë dhe të mësojë nga një mësues i ditur e i ndershëm, nga një murshid këshillues e i drejtë.”
All-llahu e mëshiroftë vaizin e shquar shkodran, H. Muhamed Bekteshi dhe e bëftë shembullin e tij, gjurmë udhëzimi për kërkuesit e Dritës së Besimit dhe Dijes së dobishme! Amin!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 24 gusht 2016