Para duarve të edukatorit të shquar, H. Muhamed Bekteshi… (2)

Mendoj se, vetëm parathënia e ixhazetit, me të cilin H. Muhamed Bekteshi pajiste talebetë e tij, (një prej të cilëve, edhe H. Sabri Koçi), vlen të merret në konsideratë për pasurinë e argumenteve, thellësinë e nxitjes dhe tërheqjen e madhe të vëmendjes drejt kërkimit të dijes!

Është argument i pastër dhe thellësisht i qartë, që vërteton shpirtin qytetërues dhe kulturën e lartë të hoxhallarëve tanë, (që shpesh u mohohet vlera, u fshihet gjurma, u nënvleftësohet kontributi dhe u tjetërsohet qëllimisht misioni i tyre fisnik e human…), të cilët, ndonëse në kushte jashtëzakonisht të vështira, në një Shqipëri të brishtë përballë pabesive dhe tendencave vrastare të identitetit të saj shpirtëror, por jo vetëm, arritën të edukonin breza të tërë imamësh e thirrësish islamë, që nuk e thyen besën dhe nuk u dorëzuan, përtej asaj që vuajtën mbi kurrizin e tyre…

Do të vazhdoj të sjell në vëmendjen tuaj vijimin e hyrjes së ixhazetit, me të cilin, H. Muhamed Bekteshi i merrte besën talebeve të tij, për të vazhduar rrugë e dijes dhe thellimin në të!

[Ka thënë i Dërguari i All-llahut (s.a.v.s): “Për dijetarin kërkon falje çdokush, në qiej e në tokë, deri balenat në det”. Kush atëherë e ka gradën më të lartë sesa ai, për istigfarin e të cilit janë të angazhuar melekët e qiejve e të tokës, njëkohë që ai është i zënë me veten e tij?

Ka thënë i dërguari i All-llahut (s.a.v.s): “Urtësia ia shton të ndershmit ndershmërinë dhe e lartëson skllavin derisa të arrijë lartësitë e mbretërve”. Profeti (a.s) ka treguar për frutet e diturisë në këtë botë, por Ahireti është më i mirë e më i qëndrueshëm!

Ka thënë i Dërguari i All-llahut (s.a.v.s): “Mirësia e dijetarit mbi adhuruesin është si mirësia ime mbi sahabët e mi”. E pyetën: O i Dërguar i All-llahut: Cila është puna më e mirë? Tha: “Dituria fetare (el-ilmu bil-lah)” I thanë: Po të pyesim për punën dhe na përgjigjesh për diturinë? Tha (s.a.v.s): “Puna e pakët me dituri fetare është më e dobishme sesa puna e shumtë me injorancën fetare”.

Në hadithin e Ebu Dherrit (r.a) thuhet: “Prezantimi në mexhlisin e një dijetari është më i mirë se falja e 1000 rekatëve (nafile), se vizitimi i 1000 të sëmurëve dhe se dëshmia e 1000 xhenazeve.” Thanë: O i Dërguar i All-llahut: Edhe se këndimi i Kur’anit? Tha (s.a.v.s): “Po pse, a nuk vlen Kur’ani, përveç se me dituri?”.

Ka thënë i Dërguari i All-llahut (s.a.v.s): “Atij që i vjen vdekja duke kërkuar diturinë për të gjallëruar Islamin, do të jetë në xhennet një shkallë poshtë Profetëve”*]

Jo më kot, H. Musa Hoxha, talebe i hallkës së fundit të H. Muhamed Bekteshit, teksa më tregonte për vlerat dhe madhështinë e Edukatorit dhe Mësuesit të tij të shquar shkodran, më thoshte: “Me kulturën që na ka dhanë ai, nuk mund t’i dalim kurrë hakut, kaq Hoxhë i naltë ka kenë. Na ka mësu me pasë frikë Zotin, me pasë karakter feje, jo m’u mburrë me diploma e ixhazete!… Na porosiste përherë: “El-ilmu bi’run vel-muzakeretu dilvun”, që do të thotë: “Dituria është pus, përsëritja është kovë”, si e si të na nxiste për të mësuar e për t’u lidhur sa më shumë me diturinë dhe përsëritjen e saj!”

vijon, inshallah

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 23 gusht 2016

___________________
* Këtë hadith e përmend edhe Imam Razi gjatë komentimit të ajetit 31 të sures “El-Bekare”: “E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat (e sendeve)…”, ku ia atribuon transmetimin e tij Hasanit, merfuan. Shih: Imam Fekhruddin Er-Razi, “Et-tefsirul-kebir”, vëllimi i parë, f.166.