Në jetën e tij, njeriu ka momente gëzimi, sikurse ka dhe hidhërime. Jeta e kësaj bote është intriguese, ndonëse është e përkohëshme, kalimtare.
Shpesh, nga hutia e dinamikës së jetës harrojmë njëri-tjetrin, të afërmit, familjen, të dashurit, miqësitë, por jo vetëm. Harrojmë hakun e prindit, hakun e familjes, hakun e farefisit, hakun e komshiut, hakun e shokut e atë të mikut, hakun e vëllazërisë së besimit e kështu me radhë… Gabojmë, shumë gabojmë, kur nuk respektojmë ‘HAKUN’ në jetë…
Një fjalë e mirë, një vizitë, një sms, një shfaqje interesimi, një mbështetje financiare në momente gëzimi e hidhërimi, një përkujdesje e sinqertë në momente lëkundjeje ndaj tjetrit, çfarë është në të vërtetë?
Çfarë i kushton jetës sonë shfaqja e dashamirësisë, mirëkuptimit, kapërdirja e rrëshqitjeve, fshirja e gabimeve, kapërcimi i pakënaqësive etj., për të dëshmuar, (për kaq sa jemi në këtë botë), më të mirën tonë?
Çfarë vlere ka mbyllja, izolimi, zemra e ngushtë, moskomunikimi, rrugët e mbyllura e të bllokuara, ngjyrat e hirta dhe grija, si natyrë?
Zoti na çon sinjale; herë mbështetëse, herë qortuese, herë bekuese, herë jo, herë reflektuese, herë tërheqëse drejt mirënjohjes së tij, herë…
Një sëmundje është sinjal. Që të përkujdesemi për shëndetin, por edhe se, në fund të fundit, jemi krejt të dobët. Aq sa, mjafton një virus i padukshëm për të na gjunjëzuar përballë këtij sinjali… Edhe një jetë e re është sinjal… Edhe një vdekje e papritur e një njeriu të dashur e të shtenjtë është sinjal… Edhe vdekja e papritur e Axhës tonë, për ne, (në kllapinë e botës tonë të ngushtë materiale), u lexua në qenien time si një sinjal…
Sot, përjetova një shumësi ndjesishë sinjalizuese, në orbitën e lajmit të papritur të ndërrimit jetë të një njeriu të dashur e të shtrenjtë; njërit prej axhave të mi… Një njeri i paqtë e rrezatues mirësie, që deri mbrëmë qeshte e përhapte mirësi e ëmbëlsi e, sot papritur hutisë sonë, iu dorëzua exhelit të tij, duke shtegtuar drejt të përtejmes dhe mëshirës së Zotit Mëshirëbërës… Ai shpirt i dhuruar këtu e 65 vite më parë, sot mori rrugën e tij të natyrshme drejt vendit të origjinës… Drejt atij pragu, ku të gjithë ne do të kalojmë një ditë, drejt Jetës, pas së cilës nuk ka më vdekje…
Subhanallah, sa i dobët është njeriu… Nga një pikë e papërfillshme niset drejt kësaj bote e, po nga një pikë e papërfillshme, edhe largohet prej saj…
Mbeten kujtimet e shkuara… Mbetet respekti, dashnia, gjurma e pashlyer e përkujtimi për mirë…
Sot, përjetova një shumësi ndjesishë në kalimin e këtyre orëve, me një të dashur më pak në këtë jetë… Një i dashur, që u nis drejt vendit të premtuar, vendtakimit të krejt breznive, vendtubimit të mbarë racës njerëzore, deri në fundin e jetës mbi tokë… Një i dashur, që do na mungojë, por që do e kujtojmë me ato cilësi e veçori, me të cilat vizatoi portretin e tij njerëzor, deri në çastin e tij të fundit…
All-llahu të pastë në mëshirën e tij, Njeri i mirë i heshtur!..
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 10 dhjetor 2016