“Aman ja Rab, t’mangunat na’j ban tamám – Edhe na merr neve shpirtat me iman!”

Emrin e Hafiz Ali Ulqinakut, për herë të parë në jetë e kam dëgjuar diku nga fillimi i vitit 1991. Asokohe, gjyshi im rahmetli, fliste me shumë pasion për “Mevludin” e Hafiz Ali Ulqinakut, vargjet e të cilit, shpesh i përsëriste në bisedat e tij të ëmbla fetare. Ishin biseda, prej atyre që bëhen shtysë garante, që të merr për dore drejt besimit, moralit, dijes dhe, mbi të gjitha, drejt dashnisë së Zotit dhe vlerësimit të gjuhës tande, nëpërmjet të cilës shqipton krejt natyrshëm një lutje të sinqertë: “Aman ja Rab, t’mangunat na’j ban tamám – Edhe na merr neve shpirtat me iman!” – (Faik Luli, Islam Dizdari, “Hafiz Ali Ulqinaku – Jeta dhe vepra”, LOGOS-A, 2005, f. 352. Vargjet janë pjesë nga “Mevludi” i H. Ali Ulqinakut, pjesa: “Lutja e Meuludi Sherifit”.)

Periudha e errët e komunizmit, që ishte shembull tipik i një kryqëzate të egër ndaj Islamit dhe muslimanëve në Shqipëri, për një periudhë gati gjysëm shekullore e, sidomos nga viti 1967, (kur feja u ndalua me ligj), e deri në vitin 1990, (kur u rihapën dyert e lirisë së besimit), bëri të pamundurën që ta shkëpuste me të gjitha format e mundshme, lidhjen e muslimanëve me fenë e tyre. Shtypi i periudhës komuniste është i mbushur me shembuj të gjallë, sesi propaganda ateiste, bombardonte ditë pas dite masën e gjerë me shkrime e thirrje kundër fesë.

Si në një rast, kur duke përbuzur agjëruesit dhe muajin e agjërimit, dikush shkruante: “Ç’na kujtoni të kaluarën?- do të thoni ju, kur tani nuk kremtohet dhe as mbahet ramazan? Të na falin vërtetë të gjithë ata që i kanë braktisur këto besime të kota. Por e kemi fjalën tek disa (po e theksoj, tek disa) që akoma ëndërrojnë dhe shpresojnë te fuqia çudibërëse të festave fetare, që shpresojnë në jetën tjetër…” – (S. R., rubrika “Në vend të fejtonit”, “Muaji i petullave”, në gazetën “Jeta e re”, viti VI, nr. 82 (574), e mërkure, 11 tetor 1972, f. 3.)

Me gjithë këtë frymë inkuizicioni, me të cilën u përballën muslimanët e vendit tim, në shekullin që kaloi, prekjet e besimit dhe gjurmët e tij, nuk u shuan nga shumë zemra besimtare, që në fundin e vitit 1990, ishin të gjithë aty, para dyerve të mëshirës së Zotit, te xhamia e Plumbit, duke kërkuar falje, duke deklaruar pendimin a duke rilidhur një besë të re të një ridimensionimi të marrëdhënies me Zotin Një.

E pikërisht këtu, vlera e “Mevludit” të Hafiz Ali Ulqinakut, merr përmasa të papërshkrueshme, në rolin e mbrojtësit të besimit dhe thirrësit konseguent drejt vlerave islame dhe ruajtjes së tyre, në gjuhën tonë të bukur, me një elokuencë të rrjedhshme dhe me një saktësi në argumente, shkrirë në vargjet e veprës së tij.

Po, sepse, përtej persekutimit ateist, muslimanët e Shqipërisë, sidomos ata të trevave të Veriut, i ruajtën formulat e “Mevludit”, si relikte të shenjta, të cilat duke pasur edhe fatmirësinë e shkrimit në gjuhën shqipe, u ngulitën edhe më shumë në mendje e zemër, për të mos u harruar as në realitetet e errëta komuniste, që e kishin shndërruar Shqipërinë në një skutë të errët, pa dritë e pa shpresë! Studiuesit e jetës së H. Ali Rizasë (Ulqinakut), teksa përmendin “Mevludin”, thonë se: “ishte e vështirë të gjeje familje besimtarësh, ku të mos kishte hyrë ndonjë kopje e tij dhe, në sajë të forcës së traditës, brezi ia përcillte brezit edhe në rrugë gojore” – (Faik Luli, Islam Dizdari, Nexhmi Bushati, “Në kujtim të brezave”, Shkodër, 1997, f. 252.)

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 14 dhjetor 2016

(Nga referati i mbajtur sonte në sesionin shkencor të organizuar nga Myftinia Shkodër, në përkujtim të veprimtarisë së dijetarit të shquar shqiptar, Hafiz Ali Ulqinaku)