Shejkh Jusuf El-Karadavi mbetet burim orientues, sidomos kur thotë, se: “Islami synon dijen, që prodhon vepra, jo dijen që prodhon fjalë e debate! Islami dëshiron njohurinë e lidhur me zemrën, që vë në lëvizje vetë zemrën dhe vullnetin!”
Mua më pëlqen ta lexoj në këtë mënyrë marrëdhënien e fesë sime me dijen dhe mundësitë e përhapjes së saj në shoqëri, si alternativë e shëndoshë për individin dhe shoqërinë.
Sikurse mendoj se ka shumë rëndësi të përhapet me të madhe se, Islami mbetet, sot e mot, një alternativë e padiskutueshme që i ofron njeriut nëpërmjet rrugëve të dijes dhe zhvillimit të saj, njohjen e kufijve të vetes dhe sekretin e marrëdhënies së suksesshme me jetën dhe njeriun, kushdo qoftë tjetri!
Paqja e brendshme, drejtësia e padiskutueshme, modelet e tolerancës logjike dhe dhurimi i mëshirës në çdo detaj të jetës, mbeten veçori të jashtëzakonshme të fesë, me të cilën unë dërguan krejt të Dërguarit e Zotit, deri në Vulën e tyre, Muhammedin (a.s).
Përndryshe, keqpërdorimi i njohurive dhe i dijeve të pakëta e të cungëta, në drejtim të krijimit të hendeqeve në mesin e poseduesit të tyre dhe komunikuesit, mbetet tregues i varfërisë intelektuale dhe shpirtërore në mirëleximin e Islamit dhe përkthimin e tij në reaksione pozitive në shoqëri.
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 31 dhjetor 2016