Muaji Ramazan vjen me dritë e hare, na gëzon që në largësi e na përfshin në atmosferën e tij plot bekim e qetësi!
Atë që e do All-llahu, e udhëzon drejt dashnisë së Tij! Ramazani është muaj i dashnisë së All-llahut për krijesat e Tij! Atë e bëri obligim që herët, që në kohën “para jush”… Çdo i dërguar e çdo ymet agjëroi, duke dëshmuar besim e bindje, përulje e vullnet për të rrugëtuar në besën e All-llahut dhe besimit në Madhërinë e Tij!
Tash, koha është që ne të agjërojmë! Ai po vjen, thuajse erdhi..! Ftesa është e hapur e thirrja për krejt ehli imanin: “Ju është obliguar agjërimi…”! Është obligim i lidhur me shkaqet e përsosmërisë që e shpie besimtarin në shkallën e përfitimit të dashnisë, afrimit, eulijallekut, razisë me All-llahun e kënaqësisë së Tij ndaj nesh: “në mënyrë që të mbërrini takvanë”!
Ai po vjen, thuajse erdhi..!
Krejt çështja është nëse jemi gati ta presim, siç duhet pritur një mundësi e tillë e papërshkrueshme besimi e dëshmimi!
Krejt meseleja është të ndryshojmë në drejtim të dashnisë, që të ndriçon e të tjetërson, duke të bërë të arrish nivele të larta besimi e afrimi, teksa i drejtohesh me zemër vetvetes: “Unë po shkoj drejt Zotit tim, Ai do më udhëzojë!”…
Krejt meseleja është të mësojmë të përshtatemi me të, për ta kthyer në sistem jete, që na edukon e na frymëzon për të jetuar në këtë jetë të përkohëshme me dashni e përkushtim, tamam agjërueshëm; me gjuhë, me sjellje, me vështrime, me mendime, me dëgjim e me çdo gjë që na është dhënë si dhunti nga Zoti i gjithësisë, si amanet për të mos u shpërdoruar…
Ai po vjen, thuajse erdhi..!
Me zemër të mirë e begati për të gjithë ymetin e Hz. Muhammed Mustafasë (a.s.)!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 5 maj 2019