Në kujtim të dijetarit Shejkh Muteveli Shaaravi…

Me 17 qershor 1998, ndërroi jetë në Kajro “imami i duatëve”, Shejkh Muteveli Shaaravi. (Mutevel-li Esh-Shaarawi).

Nuk besoj se ka student teologjie dhe thirrje islame, nga brezi im, të mos jetë dashuruar me stilin, elokuencën, thellësinë e mendimit, analizën e hollë dhe tefsirin e ajeteve kur’anore, nga Hoxha i madh i Egjiptit. Akoma sot, vazhdojmë të marrim e të ushqehemi nga urtësia dhe mjeshtria e madhe në thirrje e gjuhëtarit dhe mufesirit të shquar të kohës tonë, nëpërmjet botimeve, regjistrimeve audiovizive, publikimeve të ndryshme zyrtare etj.

Në gjykimin tim, brenda kufijve të asaj që kam zënë deri më sot, Hoxha i Egjiptit dhe Kryemyftiu i Sirisë, Shejkh Ahmed Keftaro (1915-2004), ishin dy korifejtë e kohës, si në tefsirin e Kur’anit, thellësinë e interpretimit gjuhësor e plot urti, ashtu edhe në transparencën e thirrjes, në rrafshe globale.

Mendoj se imamët, thirrësit islamë, myftilerët, studiuesit e përkushtuar islamë dhe të gjithë ata që e kanë drejtuar jetën e tyre nga kibla e shërbimit ndaj Fesë së All-llahut dhe thirrjes drejt saj, duhet t’i rikthehen herë pas here këtyre dy personaliteteve të shquara me kontribute të jashtëzakonshme për kohën dhe rrethanat, edhe gjeopolitike të vendeve të tyre, rajonit dhe mbarë botës.

Nuk kam për qëllim të analizoj tiparet e personalitetit poliedrik të dijetarit të shquar egjiptian, Shejkh Shaaravi (1911 – 1998), (nuk do isha i aftë ta bëja), por qëllimi im nga këto rreshta është tërheqja e vëmendjes së lexuesit drejt kësaj date që mbetet një përkujtimore materiale e një personaliteti të shquar prej BURRAVE të Islamit në shekullin tonë.

Iu riktheva sot njërit prej librave të tij, që natyrshëm i shtojnë vlerë e dritë çdo biblioteke. Libri titullohet: “Dyshime dhe shpifje të kundërshtarëve të Islamit dhe përgjigjja ndaj tyre”, (botimi i tretë, Bejrut-Kajro, 1987).

Teksa trajton disa nga çështjet e shumëpërfolura të kohës dhe mendimet e ndryshme të dijetarëve tanë, jep një formulë, që besoj se duhet të na vlejë shumë, edhe sot: “Ju, o dijetarë që i lejoni këto gjëra, thoni: “Ne jetojmë kohën!” Pra, thënia e juaj se ne jetojmë kohën, nënkupton se koha është vendimmarrësi. Ju them: Lërini këto fjalë! Ju, ndoshta i thoni ato me qëllim të mirë, por njeriu i fesë duhet të thojë përherë: NE JETOJMË FENË, PRANDAJ LE T’I NËNSHTROHET KOHA LOGJIKËS SË FESË!” – (f. 100)

All-llahu e mëshiroftë dijetarin e urtë, mufesirin e Kur’anit, Shejkh Muteveli Shaaravi dhe na bashkoftë me zotërinë e tij dhe prijësit tanë në xhennetet e Tij. Amin!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 17 qershor 2016