Meditime (25)

Realitete muçubret!

Realitete muçubret!

Shtatë vite më parë kisha regjistruar një shënim, që çuditërisht më erdhi ndër mend edhe sot, dhe e gjykova me vlerë ta përsëris, duke i shtuar edhe dy fjalë në thelbin e kontekstit të tij.

Duke bërë një ecje në meditim në disa prej rrugicave të lagjeve muslimane të Shkodrës, një pyetje e heshtur i bashkohet trokitjes së ndrojtur të hapave të mi: Si nuk u gjet asnjë fond gjatë 24 viteve të fundit, për rimëkëmbjen dhe rikonstruksionin e këtyre shtëpive dhe rrugicave, që mbajnë akoma aromën e myshkut të tespihëve të lashtë, në duart e baballarëve muslimanë..?!

Fundja, këta janë tabani i Shkodrës, që shumëkush përpiqet ta mohojë, a ta anashkalojë, a mos të trazojë pluhurin e harresës provinciale, që mbulon këtë vërtetësi..!

Sonte, po kthehesha nga një udhëtim jashtë qytetit. Duke u ruajtur që mos të kalonte mbi pafundësinë e pusetave dhe gropave të arnuara me asfalt të ri për muçubret, shoferi, hera-herës lëshonte ndonjë: “Subhanallah!”, që me siguri përkthente atë brengosje, që natyrshëm trazon çdo ditë këdo që shkel në këto realitete…

Është e pashpjegueshme, por e vërtetë, që e shohim, e prekim dhe e jetojmë çdo ditë; fakti se investimet në këtë qytet, ka dekada që bëhen në mënyrë selektive, duke kontribuar në heshtje për të kundërtën e asaj fryme qytetëruese, për të cilën punojmë e ligjërojmë pa asnjë lëkundje e dyshim!

Kjo, jo vetëm që është një e padrejtë e madhe në hak të Shkodrës, qytetarisë autoktone, lagjeve, tabanit e trashëgimisë sonë, porse mbetet një shfaqje e patolerueshme e një mjerimi shpirtëror, moral e politik, që patjetër ka nevojë për gusul!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 28 maj 2021