Meditime (24)

Të jesh ajet në mirësjelljen tënde..!

Të jesh ajet në mirësjelljen tënde..!

“Nëse të vjen një njeri me halle, dëgjoje! Po të erdhi dikush që të kërkon falje, fale! Po të erdhi një nevojtar, jepi!

Prej teje nuk kërkohet të kesh një Mus’haf në xhep, porse të jesh ajet në mirësjelljen tënde!”

I lexova këto rreshta plot urti e thellësi mendimi nga bota e mendimtarit egjiptian, Dr. Mustafa Mahmud dhe më erdhi ndër mend realiteti i mrekullueshëm i sjelljes së Resulullahut (a.s), ai i shumë prej sahabëve për të cilët kam lexuar, (e, sa e sa nuk kam lexuar ende), i shtresës së përzgjedhur të njerëzve të mirë në historinë tonë, për të cilët Imam Ibnul-Xheuzi ka një vepër voluminoze me titull: “Cilësitë e të përzgjedhurve”, ku preket transformimi që mësimet e Islamit dhe përkushtimi ndaj tyre i bëjnë njeriut në jetë!

Sa shumë kemi nevojë të përkushtohemi për të arritur në këtë gradë, për t’u lartësuar ne dhe bota e jonë drejt angazhimit të madh ndaj njeriut, faljes, shpenzimit në rrugën e bamirësive, tolerancës në mes vete, dashamirësisë ndaj çdo krijese, harmonisë në familje, në punë, ruajtjes së lidhjeve farefisnore e përtej tyre.

Nëse Resulullahu (a.s) është dërguar mëshirë për mbarë botët, kjo do të thotë se muslimani, teksa përpiqet ta dojë e ta respektojë Traditën e tij (a.s) me shumësinë e mësimeve të saj, është i ftuar të kthehet në mëshirë për familjen e tij, për të afërmit, për shoqërinë e ngushtë, për krejt krijesat dhe mbarë njerëzimin!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 23 maj 2021
(Publikuar më parë)