Meditime (26)

"Ishim si ju..."

“Ishim si ju…”

Kohë më parë, teksa shkelja në gjurmët e gurëve të varreve të zonës së Zogajve, një gur, ndryshe prej tjerëve më tërhoqi vëmendjen. Një gur varri, mbi të cilin shkruhej një epitaf, sa shumë e shumë të tillë…

“Ishim si ju dhe do të bëheni si ne!”, shkruhej në atë faqe të akullt guri ngjyrë gri, i mbuluar me heshtje e pluhur shekujsh, që gjithësesi nuk ia humbën dot madhështinë këtij shënimi, që përkthen më së miri në dy fjalë krejt jetën e njeriut dhe historinë e tij!

M’u kujtua kjo urtësi, teksa shfletoja sot arkivin e fotove të shkuara, ku në botën e kujtimeve të zemrës u shfaqën Hafiz Musa Hoxha, Hafiz Ali Hyseni, Haxhi Rexhep Zenelaj dhe zotni Shaban Malja, rahmet paçin. Një brez i nderuar burrash besimtarë e qytetarë, që shkuan duke marrë me vete dritën dhe prekjet e një kohe me tiparet dhe veçoritë; tiparet e burrave me veçoritë e besimtarëve…

Një kujtim i shkrepur para shumë vitesh në xhaminë e vjetër të Oblikës, në shoqërinë e talebeve besnikë të H. Muhamed Bekteshit e frymës së traditës sonë, që na prin akoma sot në rrugëtimet tona individuale e komunitare.

“Ishim si ju…”, tamam siç do të jemi edhe ne një ditë për ata që vijnë… Krejt meseleja është, që secili të pyesë veten se çfarë shembulli jep, çfarë toke punon, çfarë fare po mbjell e çfarë do të korrë nga krejt ky mundim që shpie drejt kësaj dëshmie të pashmangshme: “Ishim si ju dhe do të bëheni si ne!”.

Allahu ndihmë!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 1 qershor 2021