Meditime (60)

Shërbyes të heshtur e burra të vendosur për t'i shërbyer Hakut!

Shërbyes të heshtur e burra të vendosur për t'i shërbyer Hakut!

Shërbyes të heshtur e burra të vendosur për t’i shërbyer Hakut!

Hafiz Shukri Kapllan, që u nda nga jeta para pak ditësh, ishte padyshim një burrë i matur dhe thellësisht i përkushtuar ndaj misionit të tij, që ishte mësimi i Kuranit dhe shërbimet ndaj fesë islame, pa rezervë!

Ai erdhi në Shkodër, që në ditët e para të thirrjes së madhe, që rasti sui-generis i këtij vendi, i drejtoi botës islame, pas ndryshimit të sistemit politik në vitin 1990.

La rehatinë, vendin e rrethin e tij shoqëror e familjar për t’iu përgjigjur thirrjes së ndërgjegjes e përgjegjësisë që muslimani ka në jetë. E vendosi veten në postin e lartë të Burrave në fjalorin e Kuranit, për të cilët dëshmohet: “Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi.” – (Kurani, El-Azab: 23)

Nuk e prishi besëlidhjen e tij, shërbimet ndaj besimit, fetarizmit të qytetëruar, qytetarisë shembullore, tolerancës dhe ndërtimit të urave të komunikimit me të gjitha krijesat e Zotit, pa dallim!

Një ditë para se të ndërronte jetë po flisnim për qendrën e re kulturore të xhamisë së Krye-Bushatit, për të cilën më kërkonte me këmbëngulje se duhet ta ndërtojmë, derisa u bë e mundur realizimi i kësaj kërkese, gjithësesi të vonuar nga ana e jonë.

Eh, Hafiz i dashtun, sa i paqtë ishe, ashtu në paqe u largove drejt të përtejmes, duke lënë gjurmët e gdhendura ndër nxënës e besimtarë, në xhamitë e Shkodrës, Shqipërisë, Kosovës, Turqisë, por jo vetëm!

Imamët e rinj, myftilerët e krejt të angazhuarit me sinqeritet në këtë rrugëtim vlerash universale e shekullore, përtej shkollave që kanë kryer, duhet medoemos të kthejnë kokën nga ky model, që gjithësesi më sjell ndër mend atë që kam lexuar për shembullin e imamëve popullor, të diplomuar nga H. Muhamed Bekteshi, rahmet pastë; H. Sabri Koçi me shokë. Ata ishin të përkushtuar ndaj misionit të shenjtë, kudo ku kishte nevojë Thirrja Islame dhe besimtarët, në fshatra, në male, afër e larg, pa bëza!

Ishin shembull i sinqeritetit, ashtu mbetën e ashtu do të kujtohen përherë, edhe pse në kohët tona shumë ekuilibra janë prishur e shumë shina janë devijuar..!?

Me kushte minimale, a edhe më pak se kaq, ata ishin aty, shërbyes të heshtur e burra të vendosur për t’i shërbyer Hakut!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 6 shtator 2021