Meditime (64)

Shpejto drejt Zotit tënd dhe lëre botën në hutinë e vet!

Shpejto drejt Zotit tënd dhe lëre botën në hutinë e vet!

Në momente të caktuara, kur duket se sprovat të kanë rrethuar, shëndeti ka diçka që nuk shkon me të, njerëzit kanë ndryshuar, nuk janë më si më parë, jetesa është shtrënguar thuajse nga çdo drejtim, dyert mezi hapen, busullat e shoqërisë janë vjetruar e vetë kanë nevojë për busull udhëzimi, dita e nata kalojnë shpejt e ti nuk je i kënaqur as edhe me veten tënde… Ndalo, mos u ngut, mos u dëshpëro, mos e humb fillin, as shpresën! Allahu të sheh dhe di gjithçka për ty!

Mos nxito për të trokitur në dyert e hallkut, mos u dorëzo, edhe pse duket se errësira përhapet gjithandej, si një tymnajë e pakontrolluar dhe e harlisur…

Ulu në një vend të qetë, larg zhurmës së serialeve, muzikës së rrugëve, britmave që shurdhojnë pallatet, vërshëllimave hutaqe e sinjaleve që lëshojnë programet e ndryshme në aparatin tënd celular; atë fike të parin dhe shkëputu nga kjo botë, si për të thirrur me të madhe: “Unë u nguta drejt Teje, o Zoti im, që të jeshë i kënaqur ndaj meje!” – (Kurani, Ta Ha: 84), si Musai i përmalluar për Zotin e tij. Largohu për pak nga të gjithë, se aty do i gjesh sërish, nuk ikin gjëkundi, për pa e shkruar Zoti yt!

I pastër, i parfumosur, ulu në qetësi, drejtuar nga kibla, mbylli sytë, veçohu nga bota dhe, në pamundësi për të udhëtuar drejt vendeve tua të shenjta, nis tavafet e dashnisë shoqëruar me emrat e bukur të Zotit tënd…

Përsërit me zemër, teksa kontrollon frymëmarrjen tënde: All-llah, All-llah, All-llah.., dhe shijo madhështinë e lidhjes më të mrekullueshme dhe Dashnisë më të pashembullt në univers..!

Shih pastaj se si hapen dyert…

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 16 shtator 2021