Kishte kaluar ca kohë nga takimi ynë i fundit…

(Kujtime dhe mbresa udhëtimi, Damask, 19-22 mars 2009)

Teksa po drekonim me një grup miqsh të afërt e të njohur të Dr. Salahudin Keftaro, në horizontet e ndejës tonë u shfaq dijetari dhe thirrësi islam, Shejkh Ahmed Raxhih në hijeshinë dhe madhështinë e tij…

Hoxha i moshuar, që i ka kaluar 75 vite nga jeta e tij karakterizohet nga dituria, urtësia, shpejtësia për të psikologjisur mjedisin, karizma tipike, shpirti rinor, batuta, siguria… Si të thuash, një dijetar i kompletuar, tip!

Kishte kaluar ca kohë nga takimi ynë i fundit…
Hoxha, me mjekër të vogël, të bardhë, me hapat e ngadaltë, i mbështetur në bastunin e tij, teksa vinte drejt nesh rrezatonte prezencë e feksim diturie. Dukej se edhe bastuni që mbante në dorë i fliste! Ngjante si një bashkudhëtar besnik, që ka ç’të thojë për zotërinë e tij, për një zotëri plot volum jete dhe energji të pashterrshme në shërbim të Thirrjes Islame në rang botëror…

Atij, edhe hapat e avashtë por të matur, (pas të cilëve afrohej përherë e më shumë nga ne), i flisnin..!

Kishte kaluar ca kohë nga takimi ynë i fundit…
Është shumë interesante aftësia e tij e ambientimit me secilin nga të pranishmit! Po aq sa aftësia për të marrë për dore bisedën drejt këshillës dhe hapësirave besimore.

Kur ai flet, të tjerët heshtin e, kur e kupton se heshtja e tyre mund ta mbysë mjedisin, me shpejtësinë e dritës, nga sirtari i mençurisë së tij ai nxjerr një batutë që e ndryshon krejtësisht ndejën e tyre!

Shejkh Ahmed Raxhih është hoxha i të gjithëve! I burrave, i grave, i të rinjve, sidomos i të rinjve! Ai e njeh mirë gjuhën e tyre. Ka aftësinë prindërore për t’i marrë për dore, për t’i ruajtur nga shkarja, nga rrëzimi…

Kishte kaluar ca kohë nga takimi ynë i fundit…
Dhe hoxha i të rinjve mori të flasë për Ebu Dherr Gifariun, sahabiun e njohur…

“Një e metë e madhe e muslimanëve të sotëm është se akoma kanë mbetur peng e mësimeve themelore të fesë së tyre! All-llah vekilek, kështu është! Pothuajse në çdo xhami, namazi, agjërimi, zekati, haxhi… Me dhjetra vite në xhami dhe sërish flitet për abdestin, namazin… Po harrojmë thirrjen e të tjerëve në Islam!

Ja, Ebu Dherr Gifariu (r.a), sapo u bë musliman, mori besën e Resulull-llahut (a.s) dhe u nis drejt fisit të tij, që ishte i madh e i njohur për ashpërsinë e tij. Nuk kaloi shumë kohë dhe Ebu Dherri iu paraqit pejgamberit (a.s) me krejt Gifarët muslimanë! Edhe ai (a.s) u befasua nga kjo dhe tha: “Gifarun, gaferall-llahu leha!”, që do të thotë: “Gifarët, i faltë All-llahu!” Ku jemi ne sot me Ebu Dherr Gifariun?”

Kjo ishte pyetja e ditës, që për mua kishte vlerën e krejt këtij udhëtimi në Damask…

Kishte kaluar ca kohë nga takimi ynë i fundit.., por Shejkh Ahmed Raxhih ishte si përherë, si të thuash, si ato burimet e freskëta, prej së cilave përherë buron ujë i pastër, i ftohtë, i lehtë e plot shëndet, që nuk të shuan vetëm etjen…

Kishte kaluar ca kohë nga takimi ynë i fundit..!
… … …

Tashmë, Hoxha ka disa muaj që ka ndërruar jetë, por kujtimet e mësimeve para duarve të tij, ndejat e ngushta udhëzuese, këshillat dhe përshpirtjet e fituara në prani të tij, mbeten gjurmë të pashlyera në memorie, në zemër, në shpirt…

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 21 gusht 2016