76. “Kjo botë është treg, së shpejti do të mbyllë!”
77. “Adhurojeni All-llahun e Madhëruar dhe mbështetuni në adhurimin e Tij me fitimin e hallallit, pasi Ai e do robin besimtar e të bindur, që ushqehet nga hallalli i Tij! Ai e do atë që ushqehet dhe punon, sikurse e urren atë që ushqehet duke mos punuar!”
78. “Një herë më goditi një e keqe dhe iu luta All-llahut të ma largojë, kur papritur, ajo u pasua nga një e keqe tjetër. Kjo gjë më hutoi, kur dëgjova dikë duke thënë: “A nuk na ke thënë, në hapat e tu të parë, se gjendja jote është gjendja e të dorëzuarit”?! Unë, u edukova dhe heshta!”
79. “O ti që e kërkon këtë botë me hipokrizi, hape dorën tënde, ajo është bosh!”
80. “O i dehur nga vera e kësaj bote me epshet dhe dëshirat e saj, së shpejti do të bëhesh esëll në varrin tënd!”
81. “Po e dogje perden e shkakut, ke mbërritur te shkaktari. Po tejkalove të natyrshmen, të tejkalohet e natyrshmja! Ai që shërben, i shërbehet! Kush bindet, i bindet! Kush jep, i jepet! Kush merr të afrohet, afrohet! Kush përulet, lartësohet! Kush sillet mirë, afrohet! Sjellja e mirë të afron, sjellja e keqe të largon! Sjellja e mirë është bindja ndaj All-llahut, sjellja e keqe, thyerja e bindjes!”
82. “Mundohu në rrugën e besimit, pendohu dhe kërko falje! Dërgoji lotët e syve të rrjedhin faqeve, sepse të qarët nga frika e All-llahut të Madhëruar e shuan zjarrin e zemërimit të Tij!”
83. “Po u pendove me zemrën tënde, drita e pendimit të sinqertë do të shkëlqejë mbi fytyrë”
84. “Bëhuni të mençur: mësoni, punoni dhe bëhuni të sinqertë!”
85. “Të bindurit ndaj Zotit të tyre, të Madhëruarit, janë dijetarë, të mençur, ndërsa ata që thyejnë urdhëresat e Zotit të tyre, janë xhahilë të çmendur!”
86. “Sa herë ta ka tërhequr vëmendjen nga shejtani dhe ndihmësit e tij; nefsi, kapriçot e tij, dëshirat e shthurrura, shoqëria e keqe?! Ruaju nga të gjithë ata, sepse janë armiqtë e tu! Nuk të do kush tjetër pos All-llahut të Madhëruar, i Cili të do ty për ty, ndërkohë që ata të duan për veten e tyre!”
87. “Vdekja e zemrës vjen si rezultat i hutimit ndaj All-llahut të Madhëruar dhe përmendjes së Tij! Kushdo që dëshiron ta ringjallë zemrën e tij, le ta mbushë me përmendjen e Hakut, miqësinë e Tij, vështrimin në mbretërinë dhe madhështinë e Tij dhe sesi sillet Ai me krijesat e Tij!”
88. “Përmendja e vdekjes ta pastron zemrën dhe të largon nga kjo botë dhe krijesat. Kur të zbulohet perdja nga zemra jote, i shikon krijesat të përkohshme, të vdekshme, të kufizuara! Ata nuk të bëjnë as dëm, as të sjellin dobi!”
89. “Angazhohu me rregullimin e vetes tënde dhe largohu nga thashethemet, epshet e kësaj bote dhe hallet e saj, sa të mundesh!”
90. “O ti që e injoron këtë botë, po ta dije të vërtetën e saj nuk do të rendje pas saj!”
91. “Ai të thotë: “Bëje!”, ti nuk e bën! Si të ishte robi yt e ti Zoti i Tij! O Zot, me sa butësi sillet Ai me ty!”
92. “Ai që dëshiron të ecë në rrugën e Hakut, le të edukojë nefsin e tij para se të nisë rrugën! Luftoje atë derisa të qetësohet e, kur të jetë qetësuar merre për dore drejt derës së Tij!”
93. “O udhëtar në rrugët e kësaj bote, mos u ndaj nga karvani, udhërrëfyesi e shoqëria, përndryshe do të humbësh rrugën, do të shkojë pasuria e fryma! Edhe ti, o udhëtar drejt ahiretit, qëndro përherë pranë udhërrëfyesit derisa të shpjerë në shtëpi! E, gjatë rrugës, bëhu shërbëtor i tij, sillu mirë me të dhe mos dil mbi mendimin e tij, pasi ai të mëson e të afron!”
94. “Lutja dhe kërkesa në largësi, heshtja në afërsi!”
95. “Mos e harro atë që nuk të harron, mos u huto ndaj Atij që nuk hutohet ndaj teje!”
96. “Ai që vetëkënaqet me mendimin e tij, humbet!”
97. “Kush shijon, mëson!”
98. “Pretendon se je sufi dhe je i pistë! Sufi është ai që pastron të brendshmen dhe të jashtmen e tij me pasimin e Librit të All-llahut dhe Traditën e Resulull-llahut!”
99. “Kërko për dikë që të jetë pasqyra e fytyrës së fesë tënde!”
100. “Lumturia e besimtarit është në forcën e besimit të tij, në vendosmërinë dhe arritjen me zemër para derës së afrimit me Zotin!”
101. “Si mund të pastrohet një zemër e boshatisur nga gjurmët e teuhidit?”
Shqipëroi nga arabishtja me përshtatje,
nga: “El-Fet’hur-Rabbani vel-fejdurr-Rrahmani”,
i Shejkh Abdulkadir Xhejlaniut (470-561 h.)
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 28 gusht 2016