
Gjatë kërkimeve mbi jetën dhe gjurmët e hoxhallarëve të shquar të Shkodrës, për efekte studimi, më është dashur të bashkëbisedoj me njerëz të shumtë, kryesisht bashkëkohas a njohës të tyre dhe veprimtarisë së pasur, si dhe të takohem me familjarë të zotërinjve tanë të shkuar.
Kam mësuar dhe kam përfituar shumë nga këto takime e bashkëbisedime. Një pjesë e tyre, natyrshëm, më ka shërbyer për punën e deritanishme, një pjesë tjetër, ka ngelur e arkivuar…
Sot, kam dëshirë të ndaj me ju dy momente shumë emocionuese nga bashkëbisedimi, që pata zhvilluar me të nderuarin, z. Mehdi Ali Kraja, më 14 mars 2007, në Shkodër.
Z. Mehdiu është një person që, saherë e takoj, më duket se, nëpërmjet imazhit të tij, prek nga afër përshpirtjen e të atit, me të cilin ka një ngjashmëri tërheqëse… Aq sa, të bën ta duash edhe më shumë Hafizin e shquar, ndonëse kohërat dhe rrethanat e bëjnë Hoxhën e urtë shkodran të qëndrojë në piedestalet e larta të kujtesës popullore, por jo vetëm…
Ja sesi e dëshmon z. Mehdi Kraja, një nga detajet e shumta të miqësisë së të atit me një pjesë elitare të hoxhallarëve të Shkodrës dhe personaliteteve të saj:
LIRIMI NGA BURGU DHE DËSHPËRIMI I MOSTAKIMIT ME H. SHEUQET BORIÇIN
Më 12 tetor 1965, Hafiz Ali Kraja lirohet nga burgu, pasi ishte dënuar për pikëpamjet e tij politike kundër ideologjisë ateiste komuniste.
Pasi u lirua nga burgu kishte shprehur dëshirën të takohej me mikun e tij të vjetër, Hafiz Sheuqet Boriçi, një dijetar i njohur i kohës. Nëpërmjet z. Fejzi Boriçit, nip i Hafizit, i çon fjalë mikut të tij, që ta vizitonte, vizitë e cila nuk u realizua asnjëherë, për shkaqe, jashtë vullnetit të tyre…
Pas dy muajve, Hafiz Ali Kraja lajmërohet se miku i tij ndërroi jetë. U mërzit aq shumë, saqë faqet iu mbushën me lot nga dëshpërimi i mostakimit me hoxhën e ditur shkodran. Në momentin e faljes së xhenazes, te xhamia e Parrucës, Hafiz Sabri Bushati, më i vjetër se ai në moshë, i drejtohet: “Hafiz, falja xhenazen, se ai të ka dashur shumë…”, por Hafizi nuk mund ta bënte këtë nga emocioni…
Atëherë, Hafiz Sabriu e mori për dore dhe e afroi pranë vetes, duke ia falur xhenazen të dy pranë njëri-tjetrit… Në përfundim të xhenazes, Hafiz Ali Kraja, mbajti një fjalë prekëse, ku tregoi vlerat e Hafiz Sheuqet Boriçit, për të cilin thoshte se e ka ditur persishten si askush në Shqipëri…
SHOQËRIA E H. ALI KRAJËS
Hafiz Ali Kraja, kishte miqësi të madhe me H. Sheuqet Boriçin, me H. Sabri Bushatin, me H. Musa Dërgutin, (të cilin e kishte takuar në burg), me H. Muhamed Bekteshin, me Sheuqet Mukën, me Hamdi Bushatin, (që e kishte si vëlla), etj.
Sidomos, pas daljes nga burgu, Hamdi begu vinte pothuajse çdo ditë dhe rrinte me orë të tëra me babën, në një dhomë më vete. Kuptohet se për çfarë flisnin me njëri-tjetrin…
Edhe një fakt interesant, në vitin 1966, ishte Ramazani i parë i tij pas daljes nga burgu. Axha im, që ishte besimtar dhe frekuentues i xhamive, e lajmëron se në xhaminë e Rusit ka dalur një hoxhë i ri, shumë i aftë. Bëhej fjalë për H. Sabri Koçin. U përgatit dhe u nisëm drejt xhamisë. Unë, e shoqëroja edhe për efekt sigurie, pasi sapo kishte dalë nga burgu dhe ishin kohë të vështira. Në xhami, i bënë një pritje të mirë e vlerësuese. E dëgjoi vasin e hoxhës së ri, u falëm dhe erdhëm në shtëpi.
Gjatë diskutimit për mbresat e tij, pas kthimit nga xhamia, ai u shpreh: “Njeri orator, me një prezencë të dukshme, i shkathët dhe punëtor… Po të çohet jashtë për një shkollë të lartë teologjike, bëhet i mirë…”
…
Natyrshëm, saherë sjellim në vëmendjen tonë kujtimet dhe gjurmët e të shkuarve tanë të ditur e të urtë, marrim dhe përfitojmë nga shembulli dhe qytetaria, me të cilën, ata ditën të ndërtojnë ura vëllazërie, diturie, zhvillimesh intelektuale, harmonie dhe vlerash qytetare e kombëtare, që asnjëhjerë s’i mbulon pluhuri i harresës… All-llahu i Madhëruar i mëshiroftë me mëshirën e Tij dhe i shpërbleftë për jetën, që ia kushtuan All-llahut dhe fesë së Tij!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 29 gusht 2016