
Tema e respektimit të hoxhallarëve tanë të shkuar në mes vete, mendoj se është një objekt studimi, që duhet të tërheqë vëmendjen e njerëzve të fushës. Jam i bindur se, argumentet dhe dëshmitë që mund të dalin në dritë, mund të jenë shumë të dobiprurës, sidomos në vërtetimin e shpirtit të bashkëpunimit dhe harmonisë në mesin e dijetarëve, për të cilën ka shumë nevojë shoqëria islame.
Në shënimet e ditës së sotme do të ndalem në një kujtim origjinal, që pata regjistruar nga H. Faik Hoxha, (i biri i Hoxhës së nderuar shkodran, Sheh Qazim Hoxha), gjatë një bashkëbisedimi me zotërinë e tij, në funksion të studimit të gjurmëve të hoxhallarëve tanë të shkuar. Dëshminë në fjalë e kam marrë, më 15 mars 2007 dhe po e sjell për ju, sa më poshtë.
[Baba im, Sheh Qazim Hoxha, ka patur miqësi të madhe me Hafiz Sabri Bushatin. Kjo miqësi arrinte deri aty saqë çdo ditë të hëne, deri në ora dhjetë, baba nuk dilte nga shtëpia, sepse priste Hafiz Sabriun. Nga ana tjetër, Hafiz Sabriu, nuk dilte të martën deri në ora dhjetë, sepse priste Sheh Qazimin.
Respektin që kishte Hafiz Sabri begu për babën tim e ka shprehur edhe pas vdekjes së Sheh Qazimit. Shpeshherë e kam vizituar në shtëpi dhe sa herë shkoja ngrihej në këmbë. Jo vetëm kaq, por dilte e më përcillte deri jashtë, saqë një ditë i thashë: “Zotëri, unë jam si evladi juaj…” Ma ktheu: “Nuk të përcjelli ty, përcjelli Qazim Efendinë!..”]
All-llahu pastë mëshirë për hoxhallarët tanë, që vazhdojnë të jenë shembuj frymëzues për të sotmen, brezat e ri të imamëve dhe hoxhallarëve shqiptarë dhe atyre që do të vijnë…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 30 gusht 2016