“Muaji i Ramazanit është muaj i begatë, në të hapen dyert e xhennetit, në të mbyllen dyert e xhehnemit, në të lidhen shejtanët. Një melek thërret çdo natë: O dëshirues i të mirës, vrapo! O dëshirues i të keqes, ndalo!” – (transmetuar nga Ahmedi dhe Bejhekiu)
Vëlla i dashur, motër e nderuar!
Dëshmoje veten si besimtar! Dëshmoje veten si musliman! Dëshmoje veten si vrapues drejt mirëbërjes, pa hezitim e ndrojtje! Mos lejo ta vrasin krenarinë islame! Mos tolero që paragjykimi i shoqërisë së sëmurë të pengojë vullnetin tënd të ndezur nga ndjenjat e sinqerta të besimit, për ta dëshmuar fenë tënde, përkatësinë e shpirtit, identitetin, mirësinë dhe vlerat ndërtuese të jetës me bekimet e Zotit!
Dikush nuk ka ndrojtje të mohojë Zotin, nuk ka frikë të veprojë haramet, nuk e pengojnë vështrimet tuaja për të ngrënë e për të pirë në ditën e agjërimit! Nuk e pengon një komunitet i tërë për të goditur shenjtërinë e Ramazanit me festa haramesh e panaire devijimi! Gënjehet pas pushtetit të përkohshëm, rinisë, pasurisë, egos, padijes…
I devijuari i shthurrur nuk mendohet dy herë për ta thyer rendin e Zotit në tokë, për të mbjellur urrejtje, neveri, degradim moral e shoqëror, prishje të familjeve nëpërmjet reklamimit arrogant të së keqes në ditët e shenjta të këtij Muaji Mubarek!
Misionarët e femohimit, shirkut e idhujtarisë, nuk reshtin së shpërndari fletushka e broshura tinzare, në dyert e familjeve muslimane, para duarve të fëmijëve tanë, rinisë e të moshuarve nevojtarë!
Shejtanët-njerëz lëvizin çdo ditë në tokën e Zotit dhe mbretërinë e Tij, në rrugëtimet e tyre drejt humnerave të thirrjeve kontradiktore, abuzuese me intelektin, errësuese të mendjes dhe shpirtit, trilluese ndaj Zotit Një, tjetërsuese të së vërtetave universale, larguese nga drita e udhëzimit!
Ata, nuk reshtin ditë-natë në shërbimet e tyre ndaj errësirës, femohimit, djallëzive!? Pse frikësohesh nga paragjykimi vrastar, pse e ndal vrullin e besimit, pse e frenon nijetin e pastër për të përhapur Dritë e Udhëzim?
Ti je musliman, bart mesazhin e Hazreti Muhammedit (a.s), përhap rrezatimet begatuese të Kur’anit, përçon moral e dije, lartësohesh drejt Dashnisë së Krijuesit të gjithësisë nëpërmjet përmendjes së Tij! Mos ki frikë, mos u the, mbaje kokën lart me shpirtin e agjërimit!
Është Ramazan: “O dëshirues i të mirës, vrapo!..”
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 15 qershor 2016